Kombet e Bashkuara konfirmuan sot se edhe zyrtarisht janë informuar nga Qeveria e Maqedonisë për emrin e ri të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, deklaroi përfaqësuesi zyrtar i Organizatës botërore, lajmëroi MEDIAL.

“E morëm njoftimin për emrin e ri dhe Këshilli i Sigurimit dhe Asamblea e përgjithshme menjëherë do të informohen”, deklaroi përfaqësuesi i KB-së, i cili kërkoi anonimitet.

Maqedonia dhe Greqia i parashtruan letër të përbashkët sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, me të cilën e informojnë për datën e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerjen e validitetit të Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik mes dy palëve.