Sot do të mbahet ditë zie në Maqedoni për t’i nderuar 14 viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik i cili u zhvillua dje pasdite në autostradën Shkup-Gostivar, në afërsi të fshatit Llaskarcë.

Mbrëmë është zhvilluar një mbledhje e jashtëzakonshme në Qeverinë e Maqedonisë ku është sjellë një vendim që datat 14 dhe 15 shkurt, të shpallen ditë zie në të gjithë vendin.

Ndërsa sot duke filluar nga ora 12:00, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Komunën e Gostivarit për rastin tragjik ku humbën jetën 14 persona nga aksidenti i autobusit në autostradën Shkup – Tetovë.

Në këtë seancë pritet që këshilltarët të sjellin vendimin për shpalljen e tre ditëve zi, për t’i nderuar viktimat që humbën jetën në këtë aksident.

“Sot me fillim në ora 12:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për rastin tragjik. Në seancën e sotme pritet që këshilltarët të sjellin vendim për shpalljen e tre ditëve zi, në shenjë respekti të viktimave. Komuna e Gostivarit, familjarëve të viktimave u shpreh ngushëllime, ndërsa të mbijetuarve u dëshiron shërim të plotë sa më të shpejtë”, thuhet në kumtesë.