Kryeministri Zoran Zaev me delegacionin qeveritar po merr pjesë në Konferencën e sivjetme të Munihut për siguri që fillon sot dhe do të zgjasë deri të dielën.

Delegacioni qeveritar, në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe deputeti Xhevat Ademi, do të marrë pjesë në disa ngjarje që do të mbahen në kuadër të konferencës, ndërkaq është planifikuar të realizojë edhe disa takime të përbashkëta dhe bilaterale.

Është planifikuar që kryeministri Zaev të realizojë takim bilateral me kryeministren e Mbretërisë së Norvegjisë, Erna Sloberg dhe ministren e Punëve të Jashtme, Ine Eriksen Soreide dhe të tkaohet me presidentin malazez, Millo Gjukanoviq dhe kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj.

Kryeministri do të ketë takim edhe me senatorin Xhejms Rish, kryesues i Komitetit për punë të jashtme të Senatit të SHBA-së, si dhe me ish-nënpresidentin amerikan, Xho Bajdën.

Në edicionin e 55-të të Konferencës së Munihut për siguri, vëmendje e posaçme është ndarë për diskutimin e përbashkët për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Greqisë në të cilën si panelistë kryesorë është paraparë të flasin kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.

Ky panel diskutim tradicionalisht u kushtohet fituesve të çmimit kryesor “Evald Fon Klajst”, i cili këtë vit solemnisht do t’u dorëzohet kryeministrave Zaev dhe Cipras në ceremoninë e posaçme të mbrëmjes, nikoqir i së cilës do të jetë kryeministri i Shtetit federal të Bavarisë, Florian Herman.