Prokuroria Publike as sot nuk ka dhënë detaje për hetimet rreth gjuhës së urrejtjes pas aksidentit tragjik të së mërkurës. Ministria e Punëve të Brendshme, nga ana tjetër, ka konfirmuar se deri në mbrëmjen e djeshme janë proceduar pesë raste për të cilat thonë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Rastet, sipas MPB-së, hetohen nga prokuroritë kompetente në Shkup, Strumicë dhe Kumanovë. E sigurtë është se një ndër rastet që hetohet është postimi i profesores së Universiteti “Shën Kirilli dhe Metodi”, Biljana Vankovska, e cila disa çaste pas aksidentit shkroi “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallak”. Gjatë ditës, Rektori i këtij universiteti Nikolla Jankullovski u distancua nga qëndrimi I Vankovskës duke thënë se respekton lirinë e shprehjes por me qëllim që ajo të jetë në korniza të humanizmit, respektim të të drejtave të njeriut dhe para së gjithash në etikën shkencore.

Duke mos hyrë në kualifikimet ligjore të deklaratës së profesores për të cilën janë kompetentë institucione të tjera, për arsye etike ndjejë për detyrë të distancohem nga deklarata e pro.dr. Biljana Vankovska. Si njeri rreptësisht dënoj çfarëdo deklaratash të cilat aludojnë në padurim dhe jotolerancë dhe krijojnë ndjenjën e urrejtjes.” – ka shkruar Nikolla Jankullovski, rektor i Universitetit “Shën Kirilli dhe Metodi”

Sociologu Ali Pajazi vlerëson se këto persona me ndikim që ushtrojnë gjuhën e urrejtjes janë të rrezikshëm për shoqërinë.

Personat të cilat janë “VIP” ose që duhet të jenë rol model në shoqëri me kulturën, bontonin e tyre dhe me bagazhin e tyre intelektual, që duhet të frymojnë klimë pozitive te qytetarët, në veçanti te bota akademike dhe ajo studentore, në qoftë se nuk i përmbahen një kodi të diskursit të tyre publik dhe në qoftë se nuk shprehin një frymë të bontonit dhe të vlerave të mirëfillta mund të jenë jashtzakonisht destruktiv dhe të rrezikshëm duke pasur parasysh se masa dhe turma të tëra të njerëzve orientohen në bazë të fjalëve të lëshuara prej tyre.” – është shprehur Ali Pajaziti, profesor

Vankovska nuk ishte e vetme. Përmbajtje të ngjashme me gjuhë të urrejtjes në baza etnike dhe politike u shpërndanë edhe nga persona të tjerë. Ata janë dënuar ashpër në rrjetet sociale kurse ka pasur edhe iniciativa për të kërkuar nga institucionet ndëshkimin e tyre. Deri tani, në pjesën më të madhe të rasteve, personat me ndikim që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi juridike edhe pse vetëm gjatë vitit 2018, në MPB nga qytetarët janë paraqitur 49 raste të këtilla.

/am/