Kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli ka bërë bashkë në avionin e tij privat, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Burime të Klan Kosovës bëjnë me dije se tre politikanët kosovarë kanë udhëtuar në të njëjtin aeroplan për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Përkundër, mosmarrëveshjeje të fundit mes kreut të shtetit dhe shefit të ekzekutivit rreth çështjes së taksës, Klani merr vesh se fluturimi i tyre i përbashkët deri në Gjermani ka kaluar në një atmosferë të këndshme dhe konstruktive.

Në kuadër të konferencës së sigurisë që do t’i zhvillojë punimet në Gjermani, në një panel të veçantë, Thaçi bashkë me Komisionarin Evropian për Negociata, Johannes Hahn, si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit dhe dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

Thaçi në Mynih do të zhvillojë takime të shumta edhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme, me përfaqësues të BE-së, NATO-s dhe me miq të Kosovës, që kanë mbështetur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin në Kosovë./klankosova.tv/.