Pasi Ballkani Perëndimor të arrijë një marrëveshje të re roaming mes vetes, BE është e gatshme për uljen e tarifave roaming ndërmjet Ballkanit dhe BE-së, që nga korriku 2019.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu ka qëndruar sot në Shkup, ku u takua me Komisioneren e BE për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale Marija Gabriel, njofton Klan Kosova.

Bregu dhe Gabriel diskutuan rreth marrëveshjes së re Roaming Rajonale (RRA2) për Ballkanin Perëndimor që po finalizohet, duke e çuar rajonin në normën ‘zero’ roaming deri në verën e vitit 2021.

Komisionerja Gabriel konfirmoi se, sapo Ballkani Perëndimor të arrijë marrëveshjen e re për çmimet roaming në ekonomitë e saj, BE është gati për uljen e tarifave që nga korriku i këtij viti.

RCC nga ana e saj është e gatshme për të ndihmuar rajonin të shtojë përpjekjet e tij për të marrë pjesë në programet e BE të hapura edhe për Ballkanin Perëndimor, siç është Java e Kodit të BE-së, Trajnimi për Mundësi Dixhitale, Rrjeti BCO, ISA2 dhe EU Blockchain.