Djegia e mandateve të deputetëve të opozitës në Shqipëri fillimisht do të kalojë përmes forumeve të larta partiake të cilat do të japin verdiktin final për aksionin politik që rrodhi si vetëtimë në qiell të hapur në fillim të javës.

Pritet që këtë pasdite në selinë blu të mblidhet kryesia e PD-së së Lulzim Bashës, ku do të diskutohet mbi djegien e mandateve. Më tutje Basha ditën e nesërme do të mbledhë Këshillin Kombëtar rreth orës 17:00, ku dhe do të jepet verdikti final që i hap rrugën dorëzimit të ofiqeve të deputetëve të opozitës.

Më pas gjithçka do të kalojë në llupën e procedurës ligjore, ku PD dhe të gjithë opozitarët do të paraqiten në KQZ për dorëzimin e mandatit, çka do të thotë se sipas gjasave të enjten e kësaj jave parlamenti do të jetë gjysmë bosh, ashtu siç edhe paralajmëroi këtë të martë vetë Basha.