Informatat rreth sulmit të parandaluar terrorist në vend i shqetësuan qytetarët. Detajet e pamjaftueshme që u publikuan këtë fundjavë lanë shumë pyetje pa përgjigje. Operacioni policor është realizuar pak ditë pasi vendi e morri biletën për anëtarësim në NATO, gjë që vetvetiu mund të jetë sfidë për terroristët e “shtetit islamik” fantom, për ta goditur këtë vend të vogël ballkanik, njofton “Nezavisen Vesnik“, transmeton Portalb.mk.

Nga Prokuroria themelore publike dje vetëm shkurt kanë thënë se janë duke bërë ekspertizë të objekteve që janë marrë nga anëtarët radikalë të ISIS-it, të cilët janë kthyer në Maqedoni pas luftimeve në Siri dhe në Iran. Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se pasi pranimit të informacioneve nga shërbimet e një vendi partner se po përgatiten akte terroriste në vend, kanë ndërmarrë masa për t’i zbuluar organizatorët, logjistikën dhe autorët e mundshëm të sulmit. Janë kryer kontrolle në disa lokacione në të gjithë vendin, me ç’rast janë konfiskuar objekte dhe pajisje që ndërlidhen me sulmin e mundshëm.

“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të ndërmerr veprime, masa dhe aktivitete për të mundësuar sigurinë e qytetarëve”, theksojnë nga MPB-ja, pa dashur të ndërhyjnë në detaje.

Sipas informacioneve nga shërbimet e sigurisë, rreth 150 nënshtetas të Maqedonisë kanë shkuar për të luftuar për ISIS-in, ndërsa tridhjetë prej tyre janë vrarë. Shtatëdhjetët janë kthyer dhe ata janë një bombë me sahat, pavarësisht se përleshjet në Lindjen e Mesme, si dhe sulmet në Evropë, nuk janë më me atë intensitet siç ishin deri tre vjet më parë, kur forca e islamikëve ishte në nivelin më të lartë.

“Ata kanë qenë nën armë dhe janë shumë të indoktrinuar, kështu që çdo gjë varet nga ajo se sa dhe si do t’i përjetojnë gjendjet reale në vend, sepse nën ndikimin e mjediseve të tyre të mëparshme, ata në çdo moment mund ta shprehin ekstremizmin dhe radikalizmin e tyre, veçanërisht në qoftë se ndjehen të viktimizuar ose nuk mund të gjenden në sistemin tonë”, paralajmërojnë ekspertët.

Sipas tyre, “treshet”, “pesëshet” dhe “shtatëshet”, gjegjësisht grupet që funksionojnë me këto numra njerëzish, janë rreziku më i madh për vendet evropiane. Bëhet fjalë për qeliza “të ngrira” terroriste, njerëz që janë në mesin tonë, të cilët nuk veçohen me sjelljen e tyre, por të cilët në të vërtetë janë të trajnuar për të kryer sulme kur marrin direktivë të tillë.

Sipas mënyrës së punës, ata së pari e incizojnë terrenin, i vëzhgojnë personat, ndërtojnë përkrahje logjistike dhe sapo t’i përfundojnë të gjitha përgatitjet – e kryejnë sulmin. Formohen në grupe me numër më të vogël, që të mund të jenë më fleksibil, më dinamik, shumë lehtë komunikojnë mes veti. Janë të organizuar në mënyrë të përsosur, kontaktojnë vetëm me njërin nga qarqet më të larta, i cili, nga ana tjetër, nuk i njeh ata që janë mbi të në hierarki. Komunikimi e realizojnë me kode, përdorin pseudonime ose nofka, si dhe fjalor “të rrugëve”, ashtu që edhe nëse monitorohen nga shërbimet, është e vështirë të diktohen.

ISIS disa herë ka drejtuar kërcënime se në Maqedoni, në Serbi, Kosovë si dhe në Shqipëri do të organizojë një sërë sulmesh terroriste duke u bërë thirrje myslimanëve të Ballkanit ta ndjekin “thirrjen e kalifatit”, gjegjësisht të vendoset sistemi islamik. Deri më tani është menduar që Maqedonia në të vërtetë nuk është në hartën e islamikëve, por se mbi të gjitha aty janë shtetet udhëheqëse të koalicionit që kryejnë operacione ushtarake kundër tyre.

“Tani, megjithatë, ne jemi praktikisht anëtar i NATO-s dhe duhet të jemi shumë më të kujdesshëm”, paralajmërojnë shërbimet e sigurisë.

Nga Ambasada Amerikane në Shkup, si dhe nga ajo e Bullgarisë, i kanë paralajmëruat qytetarët e tyre të cilët qëndrojnë në Maqedoni, që të jenë të kujdesshëm.

“Në Maqedoninë Veriore ekziston rrezik në rritje për sulme terroriste të frymëzuara nga ideologjia ekstremiste. Sulmet terroriste dhe incidentet tjera të sigurisë shpesh ndodhin pa asnjë paralajmërim dhe qytetarët amerikanë duhet të kenë nivel të lartë të kujdesit. Ekstremistët gjithnjë synojnë të gjejnë dhe sulmojnë “objektiva të buta”, si qendra tregtare dhe tregje, aeroporte, hotele, klube, restorante, objekte të kultit, shkolla, parqe dhe ngjarje publike të profilit të lartë si gara sportive, tubime politike, demonstrata, festa …”, thuhej në mesazhin e Ambasadës Amerikane në vend. ISIS praktikisht ka pësuar disfatë në Siri dhe shumë luftëtarë janë kapë ose janë arratisur nëpër Evropë dhe më gjerë.