Sot në Gjykatën Themelore të Kumanovës pritet që të mbahet seanca e parë e lëndës së Almirit pasi që Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykimin lëndën, njofton Portalb.mk.

Më 1 tetor të vitit 2018 u mbajt seancë publike në Gjykatën e Apelit në lidhje me ankesat e palëve për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës.

Prokuroria e Lartë gjatë seancës në Gjykatën e Apelit kërkoi që të dënuarit për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, Boban Iliq dhe të dënuarve për dhunë, Sami Demiri dhe Abdullah Aliu t’u rritet dënimi.

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me 6 vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me 6 muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga 9 muaj burg.