Edhe Nazmi Hani, djali i zëvendës sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Tahir Hani është punësuar në ELEM si referent në Filialin Treska. Lajmin sot personalisht e ka konfirmuar Tahir Hani, por edhe nga vet firma. ELEM u bë vend pune edhe për gruan e mikut të ministrit Kreshnik Bekteshi, Nertila Useini Kaba.

Kompania shtetërore e energjetikës ka marrë kritikat më të ashpra, por ka edhe rekordin për punësime të personave të afërt me pushtetin. Pas paralajmërimeve nga kryeministri për tërheqjen e farefisit të funksionarëve nga firmat shtetërore, sot kemi pyetur në ELEM, por nga atje sot askush nuk ka vendosur të japë dorëheqje. Për raste të reja të nepotizmit akuzon edhe opozita.

“Se nepotizmi nuk është një rast dhe i vetëm, por është mënyrë e punës së LSDM-së flet edhe shembulli me deputetin e LSDM-së nga Negotina, Riste Tashev, motra e të cilit Katerina Jordanova është punësuar në Shkollën fillore “Strasho Pinxhur”. Kemi pyetur, cili është kriteri sipas të cilit pikërisht motra e deputetit të LSDM-së është punësuar, e jo dikush tjetër?”, thekson Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër Ministri i administratës, Damjan Mançevski ka bërë të ditur se të afërmit e funksionarëve do të tërhiqen nga vendet e punës, por ka refuzuar theksojë emra konkret.

Mançevski ka paralajmëruar se po përpilohet edhe Ligji për shërbimin e lartë administrativ, sipas të cilit komisionet e përbëra nga sektori joqeveritar do të garantojnë proceset e punësimit dhe zgjedhjen e njerëzve./koha.mk/