Janë regjistruar trembëdhjetë rate të reja me fruth, prej të cilave shtatë janë pranuar në shërim spitalor, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë në pajtim me të dhënat nga Klinika për sëmundje infektive, përcjell Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për katër të rritur nga Shkupi dhe Velesi, mes të cilëve një grua 37 vjeçare është në gjendje më të rëndë klinike. Tre të rriturit e tjerë janë me status të panjohur të vaksinimit. Janë pranuar edhe tre fëmijë mes të cilëve një fëmijë njëvjeçar nga Tetova në gjendje të rëndë klinike i cili është në shërim intensiv, një fëmijë 20 muajsh nga Kisela Voda i cili ka pneumoni dhe një foshnje katër muajsh nga Kumanova me pneumoni. Të gjithë fëmijët janë të pa vaksinuar, informojnë nga Ministria.

Në Klinikën për sëmundje infektive janë të hospitalizuar 21 pacientë me fruth prej të cilëve 7 të rritur dhe 14 fëmijë, shumica prej tyre nën moshën një vjeçare.

“në Repartin për shërim intensiv përveç fëmijës në gjendje të rëndë është edhe një pacient i rritur në moshë 56 vjeçare i cili është vendosur në aparat për ventilim mekanik dhe për të cilin gjatë ditës do të merret vërtetim nëse behet fjalë për fruth. Në ambulanca janë kontrolluar gjashtë pacientë të cilët janë lëshuar për shërim shtëpiak”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Që prej shpalljes së epidemisë së fruthit në dhjetor, deri më tani janë regjistruar 280 të sëmurë, prej të cilëve 3 ndërrua jetë.