NPK – Tetovë po rrjep qytetarët me faturat e vjetëruara të ujit

Ankesa të shumta nga ana e qytetarëve janë adresuar në degën e Lëvizjes BESA – Tetovë për shkak të rrjepjes nga ana e NPK-së për fatura te vjetëruara të ujit të pijshëm. Sipas ankesave, Komuna e Tetovës i detyron qytetarët të paguajnë ujin të cilin tashmë e kanë paguar njëherë. Faturat e lëshuara për qytetarët datojnë që nga viti 1994 ose edhe më herët , sipas së cilave edhe pse qytetarët i kanë paguar, NPK detyron t’i paguajnë edhe një herë, duke e ditur se nuk është e mundur që ata t’i kenë ruajtur faturat për 25 vjet më parë.

Kjo është një vjedhje klasike që godet drejtëpërdrejtë xhepin e qytetarëve duke ua rritur brengat e tyre për të paguar detyrimet ndaj Komunës. Madje në faturat e lëshuara “kërcënohen” qytetarët se nëse nuk e paguajnë brenda 8 ditëve do të përballen me përmbaruesin. Ndërsa ka ankesa që një numri të madh të qytetarëve veç më ua kanë bllokuar xhirollogaritë. Përderisa nga qeveria aktuale ka pasur premtime të vazhdueshme për shlyerje të borxheve të kaluara, jemi dëshmitarë që po ndodh e kundërta, jo vetëm që nuk fshihen borxhet e tilla por qytetarët detyrohen të paguajnë edhe nga dy here të njejtat fatura.

Lëvizja BESA – Tetovë, shprehë shqetësimin e thellë dhe kërkon nga NPK – Tetovë të rishqyrtojë edhe njëherë faturat e ujit për të evituar vjedhjen klasike dhe publike ndaj qytetarëve. Komuna është e gjithëve dhe duhet të punojë për të gjithë qytetarët e jo t’i vjedhë dhe varfërojë ata.

Lëvizja BESA – Dega Tetovë
23.02.2019