“Nuk do të ndalemi deri sa ta nxjerrim në pah të gjithë rrjetin e nepotizmit të pushtetarëve, të cilët kanë përfshirë administratën shtetërore.” Kështu e nisi konferencën për shtyp zëdhënës i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski, duke denoncuar 4 raste të reja të punësimeve të familjarëve të zyrtarëve.

Besoni apo jo, deputeti Sashko Atanasov nga Vasilevo nuk qëndroi më modest se kolegët e tij. Pasi u bë deputet ai i punësoi kushërinjtë e tij të ngushtë, Gjorgji Ivanov si mësues i gjuhës angleze në Shkollën fillore ‘Goce Dellçev’ dhe Zoran Atanasov, gjithashtu si mësues i fizikës në të njëjtën shkollë ‘Goce Dellçev’ të Komunës së Vasilevës. Të tretën që e ka punësuar ai, kush mund të tjetër nëse jo kumbara e tij, të cilën, deputeti e ka punësuar në Komunën e Vasilevës. Nuk mbeti prapa as kolegia e tij nga Tetova, Tatjana Lalçevska, e cila është deputet e LSDM-së. Ajo, imagjinojeni, e ka punësuar vajzën e saj në Çerdhen ‘Mlladost’- deklaroi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM thonë se mijëra punësime në faturë të shtetit janë bërë me dekada nga VMRO-DPMNE. Zëdhënësi Kostadinov, iu bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kërkojnë dorëheqje të familjarëve të tyre, të cilët janë futur nëpër ndërmarrjet publike dhe në administratën shtetërore.

Bëji thirrje familjarëve të Antonio Milloshoskit, të cilët hynë në punë përderisa VMRO-DPMNE ishte në pushtet, të dorëhiqen menjëherë! Gruaja e vëllait të Antonios, Aleksandra Milloshoska është e punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Madje edhe daja i tij, Vlladimir Korunovski është i punësuar në Agjencinë e Kadastrës. Kushëriri i Antonios, Stanko Korunovski është i punësuar në Regjistrin Qendror. Kushërira e parë e Antonios, Elizabeta Korunovska është drejtoreshë e një shkolle fillore, kurse dhëndri Mariani është udhëheqës në Kompaninë shtetërore ‘MEPSO’- deklaroi Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Kostadinov tha se familja e Milloshoskit është shembull klasik i nepotizmit. Ai thotë se nismën morale për dorëheqje duhet ta ndërmerr kryetari i opozitës Mickoski, duke i thënë kushëririt të tij të tërhiqet nga vendi i punës në “Elem Tours”! Kurse, zëdhënësi i opozitës Arsovski kërkon që njëherë të pastrohet pushteti nga nepotizmi dhe mos bëhet më asnjë punësim ku kriteri i vetëm është lidhja familjare e zyrtarëve të lartë të shtetit.