Drejtori i burgut hetues në Shutkë Gjoko Kotevski ka dorëzuar dorëheqjen së bashku me raportin e incidentit mes dy ish-ministrave dhe dy të paraburgosurve pjesëtarë të grupit të Kumanovës. Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha tha se është konstatuar dorëheqja por e njëjta do të shqyrtohet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale për shkak të ndalesës që parashihet nga Kodi Zgjedhor, për emërtim të funksionarëve të ri në fazë parazgjedhore. Deri atëherë Kotevski mbetet në këtë detyrë. Mësohet se janë ngritur 11 procedura disiplinore ndaj punonjësve për të cilët është konstatuar se kanë bërë lëshime në procedurë në burgun e Shutkës. Nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve e cila po e shqyrton raportin, nuk ndajnë detaje për opinionin, por thonë se do të bëhet një mbikëqyrje e jashtëzakonshme për të detektuar të gjitha lëshimet dhe parregullsitë.

Detajet janë të karakterit të sigurisë dhe do të marrim masa bazuar në ato detaje ndërsa Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve do të bëj një mbikëqyrje të jashtëzakonshme, ashtu siç edhe qëndron në ligjin për ekzekutimin e sanksioneve, pra kuptohet se ajo nuk është e karakterit publik. Pas kësaj do të jepen informacione kthyese deri te institucioni se çfarë do të duhet të bëj për të evituar probleme të këtilla për të gjithë të burgosurit që gjenden në atë institucion” – Jovica Stojanoviç, Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski i cili gjithashtu po pret shqyrtimin e raportit, thotë se po merren me kërcënimet e pjesëtareve të grupit të Kumanovës të publikuara në “Facebook”.

Po e presim raportin se çfarë saktësisht ka ndodhur në lidhje me incidentin në burgun e Shkupit që të mund të marrim masat e nevojshme. Gjitha porositë sidomos ato që kanë të bëjnë me kërcënim të njerëzve, ne i kemi marrë seriozisht parasysh dhe po merremi me ta së bashku me sektorin për krim kibernetik dhe në pajtim me rezultatet do të merren masat e caktuara” – theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme

Pjesëtarët e grupit të Kumanovës në profilet e tyre të Facebook, kishin shkruar se sikurse Janakievskit dhe Ristoskit do ua bëjnë të gjithë personave që sipas tyre, kanë të bëjnë me organizimin e ngjarjeve të 9 majit në lagjen e trimave në Kumanovë. Ish ministrat Mile Janakievski dhe Spire Ristovski, ende pa mbushur 24 orë në paraburgim u përleshën me Esat Kafegjollin dhe Lirim Krasniqin. Sipas informatave të para, incidenti është provokuar nga dy ish-ministrat e VMRO-DPMNE-së. Përkundër ankesave të Janakievksit për lëndime, mantel-bardhët nuk konstatuan lëndime në trupin e tij. Janakievski u lëshua në arrest shtëpiak ndërsa Ristovski mbetet në paraburgim./am/