Kuvendi nuk ia mori imunitetin deputetit dhe ish spikerit të Kuvendit Trajko Veljanovski, për shkak se kryetari i shtëpisë ligjvënëse e ndërpreu seancën, e cila filloi të dielën në orën 21, ndërsa vendimi për marrjen e imunitetit të deputetit duhet të sillet deri në orën 24.

Xhaferi e ndërpreu seancën, pasi u krijuan tensione në sallën e Kuvendit, sepse koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, disa herë kërkonte pauza të shkurta, pas çka atmosfera u “ashpërsua”, deputetët e opozitës vlerësuan se nuk iu ishte përmbushur kërkesa sipas Rregullores, ndërsa deputetët e LSDM-së vlerësojnë se duhet të fillohet me votim.

Dhe tani LSDM e akuzon Xhaferin se e ka ndërprerë seancën, spikeri i Kuvendit se ka qenë i detyruar që ta bëjë këtë për shkak të tensionit që ishte krijuar, BDI-ja vlerëson se për këtë është përgjegjës deputeti i LSDM-së dhe kryetari i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit Pavle Bogoevski, i cili supozohet se ka pasur ndonjë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, Bogoevki thotë se BDI-ja e ka minuar gjithë këtë proces, ndërsa Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Xhaferi ka bërë gabim të madh dhe se ka pasur ndonjë kërcënim dhe shantazh.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se Kuvendi është dashur ta ndjekë praktikën e deritanishme në lidhje me vendosjen për marrjen e imunitetit të deputetit Veljanovski. Me këtë, vlerëson, do të bëhej e ditur se të gjithë deputetët janë të njëjtë, ndërsa do të kishte mundësi që të vendosë edhe gjykata.

“Procedurat dhe rregullat duhet të vlejnë njëlloj për çdo deputet pa dallim nëse ai është ish kryetar i Kuvendit ose jo, për atë duam qytetarëve t’u dërgojmë porosi se të gjithë janë të barabartë para ligjit, ndërsa pjesa tjetër është punë e organeve të gjyqësisë. Parlamenti duhet ta zbatojë praktikën e deritanishme. Në lidhje me atë që ndodhi shprehim pakënaqësi të madhe dhe revolt”, tha Zaev .

LSDM-ja kërkoi përgjigje nga Xhaferi që të sqarojë se pse e kishte ndërprerë seancën. Koordinatori i LSDM-së dhe koalicionit Jovan Mitrevski tha se kishte kuorum për votim dhe deputetët e shumicës ishin të gatshëm që të sjellin vendim me të cilin do t’i mundësohej gjykatës që t’i vazhdojë pa ndërprerje proceset e saj.

Spikeri i Parlamentit Talat Xhaferi seancën e ndërpreu për shkak, siç tha, të sjelljes së deputetit Muhamed Zekiri nga LSDM-ja, i cili tha se koha ka kaluar dhe se duhet që të votohet.

Në konferencën për shtyp në Kuvend Xhaferi, mes tjerash iu përgjigj edhe thirrjeve të liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, i cili nga ai kërkoi që të heqë dorë nga funksioni sepse, pasi gjithë kësaj që e kishte bërë, nuk është i denjë që ta kryejë funksionin.

Sela e rikujtoi Xhaferin se ai në vendin e kryetarit të Kuvendit është përzgjedhur me “gjakun e Selës” dhe prandaj ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse konsideron se është bërë një skenar i ish partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE-BDI.

Xhaferi tha se nuk është zgjedhur kryetar mbi kurrizin e asnjë lloj viktimizimi, por se edhe vetë ka qenë pjesë e këtij viktimizimi. Ai është kryetar i Kuvendit dhe person i cili nuk punon nën diktatin e askujt.

Sipas kryetarit të Kuvendit, faji kryesor për këtë pat-pozicion është në Komisionin për çështje të rregullores dhe çështjeve të mandatit dhe imunitetit i cili nuk solli propozim -vendim sipas të cilit do të drejtohej parlament.
Për sekretarin organizues të BDI-së, Artan Grubi përgjegjësinë për mosvotim të vendimin për heqjen e imunitetit të deputetit për Trajko Veljanoskin e locoi tek kryetari i Komisionit kuvendor për Çështje të Rregullores, Mandatit, Imunitetit, Pavle Bogoevski.

“BDI e mbështetë sundimin e së drejtës pa ndikime partiake, politike, etnike apo çfarëdo ndikime të tjera. Në mbledhjen e mbrëmshme në kohën e caktuar të gjithë deputetët e BDI-së ishin të pranishëm në mbledhje, nga kryetari Ahmeti deri te deputeti i sëmurë Agim Shaqiri në mënyrë që të votojmë për marrjen e imunitetit. Për fat të keq, në mbledhje deputetët nuk mundën të përmbahen nga ofendimet ndaj kryetarit të Kuvendit në momentin e votimit” tha Grubi.

Ai madje tha se Bogoevski ishte marrë vesh me VMRO-DPMNE-në, pa konsultim me BDI-në, për terminin se kur ishte vendosur vendimi për votim dhe shtoi se asgjë nga ajo që ndodhi, nuk do të ndodhte, nëse disa nga deputetët nuk do të ngriteshin dhe me fjalë ofenduese, sharje dhe gjuajtje të stilolapsave ndaj spikerit Xhaferi nuk do ta pengonin aktin e votimit disa minuta para mesnatës.

Bogoevksi nga ana e tij tha se dyshon se bëhet fjalë për skenar të paramenduar të BDI-së që ta mbrojnë Veljanovskin. Ata, siç tha Bogoevski, së pari kishin tentuar që ta sabotojnë punën e Komisionit, e pastaj edhe të seancës kuvendare. Ai sqaroi se kur votohej në komision, tre herë kishte tentuar që ta marr kolegen Mirsada Emini – Asani e cila është zëvendës anëtare e BDI-së, pasi u keqësua gjendja e Agim Shaqirit, për çka nuk erdhi në seancë dhe nuk kishte shumicë të votave për propozim-vendimin për marrjen e imunitetit.

Trajko Veljanovski, kundër të cilit udhëhiqet hetim si një nga organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit mbeti me mandatin e imunitetit, ndërsa në pyetjen se a ka të drejtë Gjykata që përsëri të kërkojë nga Kuvendi që t’ia marrë imunitetin e deputetit ish spikerit të Kuvendit kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev tha se këtë ligji nuk e trajton deri në fund.

“Aq sa kam dijeni unë në praktikë kërkesa të përsëritura nuk kemi dërguar. Por do të ulemi të gjithë gjykatësit së bashku, do të lexojmë dhe do të shohim se cilat janë hapat e ardhshëm të cilat do t’i ndërmarrim”, theksoi Xholev.
Në rastin me Veljanovskin kishte mospajtime edhe rreth vendimit, të cilin paraprakisht e solli edhe Komisionit kompetent për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, gjegjësisht “për” dhe “kundër” marrjes së imunitetit u deklaruan numër i njëjtë i deputetëve, nga katër, me çka Komisioni faktikisht nuk solli propozim-përfundim.

Ky ishte qëndrimi, të cilin VMRO-DPMNE-ja e deklaronte në seancën plenare, se nuk ka se për çka të votohet, nuk ka rekomandim të qartë nga Komisioni, përderisa LSDM-ja në pushtet i referohej Rregullores, gjegjësisht nenit 53, paragrafi pesë. Aty theksohet se kryetari i Kuvendit, kërkesën për arrestim, gjegjësisht njoftimin se deputeti është arrestuar menjëherë e dorëzon deri te Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit. Komisioni është i detyruar që ta shqyrtojë kërkesën, gjegjësisht njoftimin dhe në afat prej dy ditëve të dorëzojë raport deri te kryetari i Kuvendit.

Veljanovski së bashku me Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin të mërkurën e kaluar ishin marrë në pyetje me urdhër të Prokurorisë Publike nën dyshimin për përfshirje në ngjarjet e 27 prillit. Veljanovski iu referua imunitetit të deputetit, ndërsa të dielën ai nuk ishte i pranishëm në seancë, në të cilën debatohej për imunitetin e tij.

Në pyetjen e gazetarëve se a e ka urdhëruar prokuroria MPB-në që të ndiqet lëvizja e deputetëve të cilët janë nën hetime, në mesin e të cilëve është edhe Veljanoski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski u përgjigj se Ministria nuk ka marrë kërkesë të tillë. (koha.mk)