Shoferi i autobusit i cili para dy jave u rrokullis në autostradën Shkup-Tetovë dhe ndërruan jetë 15 persona, ndërsa 37 të tjerë u lënduan, ka marrë kërcënime për marrjen e jetës. Ministria e Punëve të Brendshme është duke ndërmarrë masa për mbrojtjen e tij si pjesë e procedurës, kështu deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

Ai pret që Prokuroria Publike për një kohë të shkurtër të jep arsyet konkrete për aksidentin, të të cilin janë mbledhur materiale, ndërsa ekspertizat janë kah fundi.

“Ende punojmë në lidhje me rastin sipas urdhrave që i marrim nga prokuroria Publike. Shumë materiale janë mbledhur, ekspertizat janë kah fundi dhe shpresoj se Prokuroria Publike për një kohë të shkurtër do të del me arsyet konkrete të aksidentit. Është e saktë se shoferi ka marrë kërcënime për jetën e tij. Ka kërcënime dhe për atë shkak marrim masa për mbrojtjen e tij sepse është pjesë e procedurës”, deklaroi ministri Spasovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në promovimin e projektit “Zona të sigurta të parkingjeve”.

Nga Prokuroria për Portalb.mk thanë se po vazhdojnë me procedurën hetuese, ndërkaq nuk japin detaje nëse deri më tani është konstatuar ndonjë përgjegjësi dhe kur do t’i kemi informatat e para për shkaqet e aksidentit tragjik.

“Hetimet po vazhdojnë, po ndërmerren masa në vazhdimësi. Do të ishte spekulim nëse themi se kur do të publikohen informatat preliminare në lidhje me arsyet e aksidentit”, thotë për Portalb.mk zëdhënësja e Prokurorisë, Elizabeta Nedanovska, duke shtuar se përpara një jave është marrë në pyetje shoferi, ndërkaq nëse është e nevojshme do të ftohet përsëri për të dhënë dëshmi.

Pas urdhrit të Prokurorisë , ekspertizë të detajuar të autobusit është duke kryer Fakulteti i Mjekësisë, ndërsa gjetje eksperte dhe mendim duhet të sigurojë edhe Byroja për ekspertiza Ligjore. Nga kompania “Durmo Turs” është kërkuar dokumentacioni i plotë për lejet që i posedojnë për qarkullim publik, numri i udhëtarëve dhe biletat e shitura, si dhe të dhëna për relacionet që i ka kaluar shoferi i aksidentit tragjik.