Kryetari i Parlamentit të Maqedinisë së Veriut, Talat Xhaferi në takim me gazetarët sot në Kuvend, konfirmoi se të martën e ka dërguar njoftim nga Kuvendi deri në Gjykatën Penale se nuk ka kushte për marrjen e imuniteti të ish kryetarit të Kuvendit dhe deputetit aktual, Trajko Veljanovski, njofton Portalb.mk.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se “nuk ka pasur çfarë vendimi të vendosë në votim” në seancën e marrjes së imunitetit sepse sipas tij, komisioni nuk ka dhënë vendim për marrjen apo mos-marrjen e imunitetit.

“Unë u kam shok 121 deputetët deri sa janë deputet. Unë mund të kem ndjenja personale, por nuk duhet të thuhet se unë e kam mbrojt Veljanoskin. Unë jam i obliguar ta mbroj integritetin e institucionit, kurse punët tjera duhet t’i kryejnë punët e veta. Në votim duhet të hidhet përfundimi i Komisionit. Çfarë të vendos unë në votim? Obligimin tim juridik për thirrje të seancës e kam kryer, kam thirrw seancë që të jetë në rend dite, por nuk mund të jetë lëndë votimi kërkesa e Gjykatës, por vetëm kërkesa e trupit komisionit, por e cila nuk ka pasur vendim.” tha Xhaferi.

Por më pas, ai ka përsëritur edhe qëndrimin tjetër të tij, se “nuk ka pasur shumicë për tu votuar” prandaj nuk e ka hapur aspak votimin.

“Unë e përfaqësoj shumicën, por para se të vihet në votim duhet të mbaj llogari se çfarë është interes të shumicës. Unë nuk mund të hedh në votim nëse s’ka shumicë.” tha Xhaferi.

Ai nuk konkretizoi përgjigjen edhe pse disa herë u pyet nga Portalb.mk se cila nga këto dyja ka qenë arsyeja kryesore që ai mos të propozojë aspak të votohet në seancë plenare.

Xhaferi gjithashtu në takim theksoi se ikja eventuale e Trajko Vejanovskit, të cilit nuk i është marrë mandati i imunitetit të deputetit, nuk mund të kërkohet në Parlament, por te gjykata.

“Përgjegjësia do të jetë e gjykatës e cila duhet të sigurojë prani të të gjithë të dyshuarve dhe të akuzuarve”, tha Xhaferi.

Ndërsa prokurorja Villma Ruskoska një ditë më parë ka thënë se deputetët nuk ia kanë marrë mandatin Veljanovskit dhe tha se përgjegjësia për ikjen eventuale do të jetë të deputetët.

Ndryshe, ish kreu i kuvendit, Trajko Velajnovski është i dyshuar për organizimin të ngjarjeve të 27 prillit të vitit 2017-të, por i njëjti do të mbrohet në liri dhe nuk do të paraburgoset siç ka kërkuar Gjykata Penale, pasi që e mbron imuniteti i deputetit.

Kuvendi përpara disa ditëve duhej që të votonte për marrjen e imunitetit të tij, por kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi mes zënkave me deputetët e LSDM-së e ka ndaluar seancën pa e hedhur në votim marrjen e imunitetit. Kjo ka shkaktuar reagim të ashpër që partnerët e koalicionit BDI dhe LSDM të akuzohen me njëra tjetrën se “e shpëtuan Veljanoskin nga burgu.”

LSDM-ja thotë se ka pasur shumicë dhe vetëm është pritur që të votohet, ndërkaq BDI-ja thotë se s’ka pasur vendim në Komisionin për Çështje të Imunitetit, gjegjësisht votimi atje ka qenë 4 “për” dhe 4 “kundër”.

LSDM apo BDI fajtor, Trajko Veljanovski i shpëtoi paraburgimit.