Arsyetimet e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi se nuk e ka hedhur në votim konkluzën për heqjen e imunitetit të deputetit Trajko Veljanovski pasi kështu thotë ligji dhe procedura parlamentare, bien poshtë. Sipas Xhaferit për ta hedhur në votim konkluzën me të cilën do ti hiqej imuniteti deputetit Veljanovski, duhej që më parë Komisioni parlamentar për këtë punë të japë propozim vendim për heqje imuniteti, gjë të cilën sipas Kryeparlamentarit ky komision nuk e kishte bërë.

Sipas ekspertit të drejtësisë, profesorit Bajram Pollozhani, fakti që Komisioni Parlamentar nuk ka dorëzuar propozim – vendim për heqje imuniteti nuk e ka liruar Kuvendin prej kësaj përgjegjësie. Sipas Pollozhanit, Kuvendi mundet edhe në seancë plenare të vendosë për marrjen apo jo të imunitetit të një deputeti, pavarësisht faktit se a ka propozim vendim nga ana e komisionit. Pollozhani gjithashtu thekson se kjo është edhe obligim ligjor dhe kushtetues i deputetëve, për t’iu përgjigjur ftesës apo kërkesës së Gjykatës kompetente.

“Komisionet janë trupa punues për të lehtësuar punën në seancat plenare, duke dërguar propozime konkrete për çështjet, por kjo nuk do të thotë se Kuvendi nuk mund të vendosë çështje pa propozime paraprake nga komisionet. Kuvendi meqë ka kompetencë për vendosje, padyshim se ka kompetencë edhe vetë të propozojë. Është parim në drejtësi se ai që mundet më shumë, natyrisht se mundet edhe më pak”- sqaron Profesori dhe eksperti i drejtësisë, Bajram Pollozhani.

Pollozhani thotë se për rrjedhën e ngjarjeve më 25 Shkurt dhe arsyen se pse nuk u veprua siç duhet është çështje e menaxhimit me Kuvendin dhe procedurat parlamentare dhe këtë maxhoranca duhet ta sqarojë për opinionin si dhe për organet gjyqësore.