Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka larguar nga faqja online e Kuvendit të gjithë përfaqësuesit e opozitës që dorëzuan në kryesi mandatet e firmosura për dorëheqjen nga posti i deputetit.

Ajo që bie në sy është se në faqen online, mes përfaqësuesve të mazhorancës, rezultojnë mes tyre deputetët Lefter Koka i LSI, Myslim Murrizi i PD, të cilët kanë deklaruar publikisht se nuk do të djegin mandatin, si dhe Rudina Hajdari e PD, e cila deri tani nuk e ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë lidhur me këtë vendim.

Po ashtu, në listë figuron edhe Nard Ndoka, si deputet i pavarur.

Lëvizja e Ruçit vjen pasi Kuvendi dërgoi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kërkesën e dorëheqjeve dhe zëvendësimin e vakancës së krijuar.

Dje KQZ nisi edhe procedurën për zëvendësimin e 57 vendeve boshe në Kuvend, duke kontaktuar me kandidatët pasardhës në listë.