Autobusët privat të transportit publik në Shkup edhe dje dhe sot u janë nënshtruar kontrolleve teknike të jashtëzakonshme, përfshirë edhe autobusët që u kontrolluan javën e kaluar. Megjithëse nga MPB-ja pas kontrollit njoftuan se nga transporti publik janë shkyçur 14 automjeteve transportuese, asnjëri prej tyre nuk është i ndërmarrjeve të autubusëve privat, “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspress”, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësja e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP), Despina Trajkovska sqaroi se nuk janë të informuar se kur ndodh kontrolli, dhe se ai bëhet vetëm ndaj autobusëve privat.

“Nuk e dimë kur realizohet kontrolli teknik sepse ai është i jashtëzakonshëm si dhe realizohet vetëm ndaj autobusëve privat”, tha Trajkovska.

Drejtori i ndërmarrjes “Sloboda Prevoz”, i cili menaxhon linjat transportuese “9”, “12”, “11”, “11A”, “47”, “47A”, “55”, “55A”, “45” dhe “45A”, Lenin Jovanovski për Portalb.mk njoftoi se asnjë nga 14-të autobusët që javën e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme(MPB) tha se janë shkyçur nga transporti publik, nuk janë të autobusëve të tij.

Ai tha se ndaj autobusëve të “Sloboda Prevoz”, janë parashtruar 6 kallëzime kundërvajtëse.

“6 janë me sanksione kundërvajtëse, por jo me kritika që mund ta cenonin sigurinë e qytetarëve. Ka pasur dhe probleme me disa nëpunës policorë të cilët kanë kërkuar pajisje që i posedojnë autobusët turistik, e jo ato të transportit publik. Për shembull na është kërkuar gomë rezervë, por ne nuk kemi ku ta mbajmë”, tha Jovanovski.

Drejtori i ndërmarrjes tjetër “Makekspres”, Vujo Veleski i cili menaxhon me autobus privat të linjës “19”, “20”, “22”, “52” dhe “54” njoftoi se ndaj tyre janë parashtruar katër kallëzime kundërvajtëse, dhe se nga transporti publik nuk është shkyçur asnjë autobus.

“Te ne nuk është shkyçur asnjë autobus nga transporti. Por ka pasur mospajtushmëri me frenat, veçanërisht në frerin e dorës, megjithatë aty ka tolerancë. Policia ka kërkuar disa gjëra që me Ligjin për transport publik nuk parashihen, siç janë shufrat tërheqëse të autobusëve. Kjo nuk parashihet me Ligj, sepse ne nuk kemi vend në autobus ku do të mund t’i vendosnim ato dhe gomat rezervë të cilat i kërkojnë. Në këto pjesë na janë parashtruar rreth katër sanksione kundërvajtëse”, tha Veleski.

Ndërmarrjet e autobusëve privat kërkojnë kontrolle më të shpeshta, por pas mbarimit të ndërrimit

Drejtorët e “Sloboda Prevoz” dhe “Makekspres” për Portalb.mk shprehën pakënaqësi ndaj mënyrës se si realizohet kontrolli teknik ndaj autobusëve. Ata kërkojnë:

Kontrollet teknike të bëhen çdo 3 apo 1 muaj, jo në çdo gjashtë muaj siç ka qenë deri tash;
Kontrollet teknike të bëhet pasi të mbarojë ndërrimi i autobusit;
Në rast se autobusët dërgohen në kontrolle teknike gjatë ndërrimit, të paguhet kilometri i humbur dhe
Pas nënshtrimit në kontrolle teknike, autobusëve t’u jepet karton i cili do ta dëshmojë rregullshmërinë e autobusit për periudhë të caktuar kohore.
“Largimi i autobusëve nga traseja, krijon probleme me transportin e udhëtarëve. Gjithashtu ne kemi kërkuar, që në rast se largohet autobusët nga linja, për shembull kur dërgohet në kontrolle, nëse vërtetohet rregullshmëria e tyre, të paguhet kilometri i humbur”, tha drejtori i “Sloboda Prevoz”, Lenin Jovanovski.

“Për këtë më parë kemi folur me shërbimet policore dhe me Qytetin e Shkupit se si të largohen veturat, që të mos dëmtohen linjat, respektivisht udhëtarët. Ne si transportues privat kemi pasur disa mendime, të dhëna se si të bëhen këto intervenime.”, tha drejtori i “Makekspres”, Vujo Veleski.

Nga Qendra për denoncimin e parregullsive për autobusët 19 dhe 22, për Portalb.mk sqaruan se kontrolli teknik vjen pas aksidentit tragjik në autostradën Shkup- Tetovë, në fshatin Llaskarcë, ku ndërruan jetë 15 persona dhe 37 u lënduan.

Përndryshe, autobusët dhe minibusët në të cilët udhëtojnë qytetarët tonë në Maqedoni dhe jashtë saj janë të moshës mesatare mbi 18 vjet, tregojnë statistikat e Entit Shtetëror për Statistikë për vitin 2017, vit ky i fundit për të cilin ka të dhëna zyrtare. Njëkohësisht, numri i autobusëve dhe minibusëve të regjistruar ka qenë 3.200. Këto shifra shumë pak kanë ndryshuar në 10 vitet e fundit, përkatësisht mosha mesatare në këtë periudhë është pothuaj e njëjta dhe është diku rreth 17,7 vjet.

Në atë “moshë” – 18 vjet – është edhe autobusi i “Durmo Turs” prej Gostivarit, i cili natën e 13 shkurtit të këtij viti doli prej autostradës Shkup-Tetovë në fshatin Llaskarcë e pastaj u përmbys, duke marrë 15 jetë, kurse 30 ishin të lënduar.