Mbeten disa muaj deri në qershor ku Këshilli Evropian duhet të sjellë vendim për fillimin e negociatave aderuese. Këtë periudhë vendi duhet të fokusohet në qëllimet reformuese dhe unitetin kombëtar. Nuk ka kohë për humbje. Lajm i mirë është se edhe Qeveria dhe opozita pajtohen me atë se eurointegrimet duhet të avancohen.

Këtë e theksoi eurodeputeti Tune Kelam që e udhëheq delegacionin shtatë anëtarësh të Parlamentit Evropian i cili është për vizitë të vendit me qëllim të vlerësimit të reformave dhe gatishmërisë për fillimin e negociatave aderuese.

“Maqedonia e Veriut dhe qytetarët tuaj e meritojnë fillimin e negociatave me BE-në. Tanimë keni arritur shumë për të filluar negociatat. Edhe pse në këtë fazë nuk është e qartë se a do të ketë vendim njëzëri të Këshillit Evropian, ne punojmë për këtë. Detyra juaj është që ta forconi unitetin kombëtar, t’i vazhdoni reformat. Tani nuk është koha t’i kremtoni sukseset që janë realisht të arritura, por të fokusoheni në aktivitetet që kanë rëndësi thelbësore për vendin. Neve na nevojitet Maqedonia e Veriut si anëtare e BE-së”, porositi Kelam, i cili është kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Ai theksoi se vizita është në një kohë me rëndësi kritike për Maqedoninë e Veriut, por largohen nga vendi me ndjenjën e shpresës, duke pasur parasysh ndryshimet e një viti e gjysmë siç janë në mënyrë praktike anëtarësimi në NATO dhe fakti që vendet fqinje ishin të parat që e ratifikuan Protokollin për hyrje në Aleancë.

Si shumë të rëndësishme i theksoi edhe zgjedhjet e parakohshme presidenciale.

“Nëse zgjedhjet mbahen në klimë të pajtimit kombëtar, në mënyrë të drejtë dhe transparente, ky do të jetë një argument plotësues për t’i dhënë mbështetje Maqedonisë”, tha eurodeputeti Kelam me çka u pajtua edhe kolegu i tij nga Bullgaria eurodeputeti Quçuk.

Sipas Kelamit lajm i mirë është se Qeveria dhe opozita janë të gatshme të bashkëpunojnë me parlamentin edhe në dialogun “Zhan Mone”, që, thotë, për fat të keq ishte ndërprerë, por do të vazhdojë. I pyetur për reformat Kelam theksoi se më të rëndësishme janë reformat gjyqësore, si të ndërmerret kontrolli mbi korrupsionin. Nga bisedat e Qeverisë, kanë konfirmuar se punët me reformat janë në rrugën e duhur dhe se ajo është e vetëdijshme për prioritetet, që i theksoi dhe tregoi KE.

“Mendoj se koha e parashikuar e reformave mund të realizohet. Ne theksuam prioritetet. Puna kryesore që i mbetet Maqedonisë së Veriut është implementimi”, theksoi Kelam, që vjen nga Estonia.

Duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme evropiane dhe se a ekziston rreziku për rritjen e populizmit, eurodeputeti estonez thotë se atë e tregojnë edhe vlerësimet, por se kjo nuk do t’i pengojë që të kenë shumicë funksionale dhe konstruktive në PE. Grupet politike të moderuara mund të humbasin disa vende, ndërsa arsyen e sheh në atë që partitë kryesore me vite vonojnë zgjidhjen e problemeve si identiteti i kombeve evropiane, emigracionit, vazhdimësia e kulturës historike.

Delegacioni shtatë anëtarësh në vend kishte takim në qeveri, kuvend, me opozitën si dhe me sektorin civil. Delegacioni e vizitoi edhe stacionin e pastrimit në Kërçovë, i ndërtuar me paratë e fondeve të BE-së./mp/