Stevo Pendarovski do të jetë kandidati i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së në zgjedhjet presidenciale.

Kështu u njoftua sot pas takimit të përbashkët mes LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit dhe partitë e tjera të cilat japin mbështetje për kandidatin e përbashkët presidencial.

Kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti të mërkurën arritën marrëveshje për kandidatin e përbashkët presidencial, i cili pritet të mbështetet nga Alternativa dhe PDSH-ja.

Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, dje pas shpalljes së kandidaturës së pavarur nga profesori Blerim Reka njoftuan se do ta mbështesin atë. Në garë është edhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska-Davkova.

Raundi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale u caktua për më 21 prill, ndërsa i dyti do të mbahet më 5 maj.