Stevo Pendarovski, Nikolla Dimitrov dhe Oliver Spasovski janë emrat e mundshëm nga të cilët sot liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti duhet ta zgjedhin kandidatin e përbashkët për zgjedhjet presidenciale. Një pjesë e partnerëve të koalicionit të hënën theksuan se janë dakorduar që në zgjedhje të shkojnë me kandidat të përbashkët presidencial, transmeton Portalb.mk.

Dje, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA vendosën që në zgjedhjet presidenciale ta përkrahin kandidatin e pavarur për president, Blerim Reka.

“Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët përkrahin kandidaturën e Prof. Dr. Blerim Rekës për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si parti opozitare, konsiderojmë se zgjedhjet presidenciale në vend nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet. Për arsye parimore, e përkrahim kandidaturën për President të profesor Rekës. Përvoja e tij e pasur akademike dhe diplomatike vetëm do ta fuqizonte funksionin e Presidentit të shtetit”, thuhet në njoftimin e ASH-së dhe BESËS.

Ndërsa Partia Liberal Demokrate, e cila është pjesë e koalicionit, paralajmëroi kandidaturë të mundshme me anëtarin e tyre, Nikolla Panovski, në varësi të asaj se kush do të zgjidhet te partnerët më të mëdhenj parlamentar.

Kandidat zyrtar i opozitës së VMRO-DPMNE-së është Gordana Siljanovska – Davkova.