Rektori i Universitet “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani në lidhje me mosparaqitjen e listës anketuese deri te Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit thotë se lëshimin e ka bërë pa dashje, njofton Portalb.mk.

“Unë si rektor dhe universiteti, përshëndetëm miratimin e Ligjit të ri për parandalimin e korrupsionit dhe formimin e Komisionit me anëtarë të rinj, dhe studiuam obligimet që dalim nga ky ligj për udhëheqësit e institucioneve të arsimit te lartë dhe morëm hapa konkrete për përmbushjen e obligimeve të mia si rektor i këtij universiteti. Menjëherë fillova me sistemimin e dokumentacionit dhe plotësova formularin përkatës dhe e dorëzova në administratën e Komisionit. Kërkoj nga opinioni më i gjerë të ketë mirëkuptim për këtë lëshim pa dashje, dhe njëherë ta siguroj se unë si udhëheqës i këtij universiteti, por edhe institucioni përmbahem dhe me përpikshmëri do t’u përmbahemi çdo obligimi ligjor”, thotë Pollozhani, duke shtuar se lëshimet janë njerëzore po aq sa edhe obligimi që të përmirësohen ato, nëse do të jetë nevoja edhe me koston që parasheh drejtësia”, thotë rektori.

Pollozhani më tej arsyetohet se Universiteti “Nënë Tereza” është institucion i ri dhe pa përvojë paraprake dhe mosdorëzimi i fletës anketuese sipas tij ndoshta mund të jetë, nga mosnjohja e mjaftueshme e procedurave ligjore.

“Në kohën kur unë jam zgjedhur rektor i Universitetit Nëna Tereza në Shkup, punën e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit e përshkruanin turbulenca serioze që rezultuan me dorëheqjet e anëtarëve të komisionit, dhe përskaj vullnetit tim të mirë nuk mundeshim të marrim udhëzime të sakta për detyrimet që lidhen me Ligjin për parandalimin e korrupsionit, sa i përket detyrimeve që lidhen me pozitën e rektorit të një universiteti. Me këtë rast dua të përkujtoj opinion se Universiteti Nëna Tereza është universitet i porsaformuar, pa përvojë paraprake, dhe funksion të trashëguar të rektorit, që mund të jetë shkak për mosnjohje të mjaftueshme me procedurat ligjore, por jo edhe arsye për mosrespektim të ligjit. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë mangësi i mirëprita sugjerimet e dashamirësve të universitetit dhe kërkova rrugë për tejkalimin e një lëshimi të mundshëm”, shtoi Pollozhani.

Ndryshe, Pollozhani ka reaguar pas lajmit të publikuar se Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se ndaj tij do të realizojë procedurë kundërvajtëse, për shkak se i njëjti nuk ka dorëzuar listë anketuese pasi është emëruar rektor.

Sipas asaj që deklaroi kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, Pollozhani do të gjobitet në bazë të nenit 109 të Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, më së shumti deri në 500 euro.

“Personi Aziz Pollozhani, pasi është emëruar rektor në Universitetin “Nënë Terezë”, nuk ka vepruar në bazë të nenit 82 të Ligjit, dhe për këtë realizohet procedurë kundërvajtëse sipas nenit 109 të Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit”, tha Ivanovska.

Neni 109 i Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, thotë se:

“Gjobë në vlerë prej 300 deri 500 euro në kundërvlerë denarë do t’i parashtrohet personit të zgjedhur ose të emëruar”, thuhet ndër të tjerash në ligj.