Drejtoria e Policisë Financiare të Prokurorisë Themelore Publike ka ngritur padi penale kundër ish-drejtorit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilço Gjorgjioski për shkak të dyshimit për fshehje të tatimeve, falsifikim dhe shkatërrim të të dhënave, transmeton Portalb.mk.

Siç thuhet në kumtesën e Policisë Financiere, veprat për të cilat akuzohet ish-kryetari i FFM-së janë bërë në periudhën prej 1 janar të vitit 2017 deri më 27 shkurt 2018.

Gjorgjioski, sipas Policisë Financiare, “me vetëdije dhe qëllim në emër dhe në llogari të FFM-së ka treguar të dhëna të rrejshme dhe të pavërteta në llogarinë përfundimtare për vitin 2017, që më 27 shkurt 2018 e ka dorëzuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe në Regjistrin Qendror”.

Veprat për të cilat akuzohet Gjorgjioski janë se ai në evidencën e llogarive nuk ka bërë përshkrim për kërkesat e papaguara nga blerësit më të vjetër se tre vjet edhe atë nga subjekt i likuiduar joekzistues AD Tobako Shkup në shumë prej 10.639.293 denarëve dhe nga Jugohrom Jegunovc në shumë prej 6.169.832 denarëve.

Në mënyrë të tillë, siç theksojnë nga Policia Financiare, Gjorgjoski e ka rritur bazën tatimore nga shpenzimet e panjohura për qëllime tatimore, gjë që rezultoi në fitimin e paligjshëm të FFM-së prej 1,680,912 denarë.