Zëvendës-ndihmës sekretar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, tha se Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

“Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran por edhe të njëjtën duhet ta bëjë edhe Kosova”, këto i tha Palmer, sipas gazetës serbe “Danas” në në një panel dedikuar Evropës Juglindore në Forumin Ekonomik Delphi, që po mbahet në Greqi.

Palmer ka folur edhe për pozicionin e vërtetë të SHBA-së në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, Palmer ka thënë se ekziston një keqkuptim rreth pozicionit amerikan.

“SHBA-ja dëshiron të ndihmojë në atë çfarë palët në dialog dëshirojnë të bëjnë. Marrëveshja e Prespës ishte e suksesshme sepse krerët e të dyja palëve e donin atë. Ne duam që kjo të përsëritet në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, dhe Beogradi e Prishtina të pranojnë marrëveshjen. Nuk ka linja të kuqe, por nuk ka as fatura blanko”, tha Palmer në Greqi sipas gazetës “Danas”.

Palmer më tej tha se Kosova duhet të heq ose të pezullojë taksën ndaj Serbisë.

“Kosova duhet të heq ose pezullojë taksën sepse ajo është pengesë për avancim në bisedime”.

Ai përkujtoi se Shtetet e Bashkuara ndër vite e mbështesin Kosovën dhe tani është e nevojshme që Kosova të përgjigjet si partnere. “SHBA dëshiron të ndryshojnë kontekstin në të cilin do të merret vendimi dhe kjo është arsyeja pse ata duan të hiqet taksa”, tha ai, transmeton Klan Kosova.