Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 86 në të cilën, mes tjerash, në rend dite është edhe pika për interpelancën për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski të ngritur nga deputetët e opozitës së vendit, VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.

Në seancë do të debatojnë edhe për propozim ligjin për shërbime në ARM në të cilin me nenin 1 propozohet plotësim i nenit 38 me paragraf të ri me të cilin parashihet mundësi që ushtari profesionist, të cilit shërbimi në ARM i mbaron në moshën 45-vjeçare, të mund të pranohet në shërbimin e Armatës së vendit si personal civil pa shpallje publike, nëse i plotëson kushtet e veçanta të konfirmuara në aktin për formimin e Armatës.

Në rend dite janë edhe katër pika me flamurin evropian. Propozim ligji për duhanin, për shërbime, për qasje të lirë deri te informatat e karakterit publik dhe për akcizën, të gjitha në leximin e parë.

Deputetët sot mes tjerash duhet të diskutojnë edhe për propozim ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, për subvensimin e kreditit banesor, për huazimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me hua te Banka Botërore për Rinovim dhe Zhvillim Banka Botërore me Marrëveshjen për hua për financimin e projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.