Kandidatja për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska vazhdon të mos e njoh emrin e ri të shtetit, pasi që në fjalimet e saja përdor emrin “Maqedoni”. Në Konferencën e Forumit të Gruas së VMRO-DPMNE-së që u mbajt sot, ajo deklaroi se nuk është mësuar të marrë pjesë dhe të flasë në tubime aq të mëdha, transmeton Portalb.mk.

Duke vazhduar më tej, Siljanovska i ka udhëzuar të pranishmet, se vlen të provohet edhe arti i parë – politika edhe i dytë – martesa.

“Maqedonia është në gjini femërore, jo rastësisht. Të gjithë ne jemi rritur, jemi gëzuar dhe kemi vajtuar me këngë, valle, me folklor. Në to kanë vdekur, janë martuar për Maqedoninë. Kanë ëndërruar për Maqedoninë. Edhe politika është emër në gjini femërore. Ndonjëherë duke u ligjëruar studentëve, në mënyrë dramatike u them se politika ndonjëherë ishte art i së mundurës, kurse për martesën them, të jem e sinqertë, sepse ajo është grup shoqëror, për të cilën vlen të jetohet, se është art i të pamundurës”, tha Siljanovska.