Për shkak të gripit sezonal, epidemisë së deklaruar të fruthit si dhe shfrytëzimi i konsiderueshëm i kuotës në muajin shkurt të 2019-s, Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) e rriti kuotën barnatoreve për 12 mijë denarë, shkruan gazeta KOHA.

“Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë solli vendim për rritje lineare të kuotave në vlerë prej 12.000 denarë për çdo barnatore, përveç barnatoreve që kanë kuotë me vlerë maksimale prej 652.000 denarë, për muajin shkurt. Me këtë masë, Fondi siguroi buxhet shtesë me mbi 9 milion denarë për muajin shkurt 2019 dhe në këtë mënyrë kontribuon për nevojat e të siguruarve gjegjësisht duke siguruar barna me recetë nëpër barnatoret përgjatë muajit shkurt”, thanë nga FSSH, për gazetën KOHA.

Bëhet e ditur se rritja lineare e kuotave ka qenë vetëm për muajin shkurt 2019. Farmacistët thonë, se për shkak të kërkesave të shumta u arrit rritja e kuotës të barnave, por jo çdo qytet ka patur rritjen e kuotës së njëjtë. Në një qytet ku ka patur më pak banorë, ku edhe kërkesa e barnave ka qenë e ulët atje është rrit kuota më pak. Gjatë javës së fundit të muajit shkurt janë regjistruar 3209 raste me grip dhe sëmundje të tjera të ngjashme, numër ky i cili është për 9 për qind më i lartë krahasuar me javën e kaluar kur të prekur nga gripi kishte 2943.