Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë tre krerët më të lart institucionalë, janë duke bërë shkelje të Kushtetutës.

“Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese. Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë tek Presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese”.

“Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve”, ka thënë ai përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Kryeparlamentari është vetëm spektator, bënë fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN”.

Ai ka shtuar se për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, Presidenti, Kryeministri e Kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri tjetrit.

“Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”.

“Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet tu japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës, në kufijtë e 17 shkurtit 2008, të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”.