Liverpooli i humbi dy pikë të rëndësishme në ndeshjen kundër Evertonit, duke i dorëzuar Manchester Cityt kreun e renditjes së Premierligës.

Megjithatë, ish-futbollisti legjendar brazilian, Pele, ende beson se skuadra e Jurgen Kloppit do të shpallet kampione e Premierligës, në fund të sezonit. Liverpooli ka plot 29 vjet që nuk e ka fituar titullin e Premierligës dhe tifozët e klubit kishin besuar se këtë ecuri të keqe do ta përfundonin këtë sezon.

Mirëpo, ata tani e kanë humbur kontrollin dhe duhet të shpresojnë se Manchester City do t’i humbasë disa pikë në ndeshjet e ardhshme.

“Unë besoja se Liverpooli do ta fitojë titullin e Premierligës, që nga fillimi dhe ende besoj se mund ta arrijnë këtë gjë”, ka shkruar Pele, në llogarinë e tij në Twitter.