Kryetari i ASH-së Ziadin Sela ka uruar Ditën e mësuesit, 7 marsin.

“Gjuha shqipe, alfabeti i saj, shkolla dhe mësuesi, gjatë historisë e patën fatin e njëjtë me atë të vet kombit. Historia na mëson për këtë rrugëtim plot rreziqe dhe sakrifica të mësuesve atdhetarë që ishin të vendosur ta vazhdojnë punën e tyre të shenjtë edhe në rrethana shumë të rrezikshme. Këtë veprimtari të rrezikshme, që shumë mësues e paguajtën me jetë nga armiq të përbetuar kundër gjuhës dhe shkollës shqipe, sot e kujtojmë si vepër krenarie kombëtare. E tërë kjo epope e lavdishme e shkollës shqipe, e ka një ditë të shënuar që na kthen në histori dhe njëkohësisht na mëson si të ecim përpara, duke rritur cilësinë në arsimin tonë kombëtar. Kjo ditë është 7 Marsi, dita e mësuesit dhe e shkollës shqipe që u legjitimua pikërisht me këtë datë, në qytetin e Korçës. Gëzuar dhe urime të dashur mësues për festën tuaj, që njëherit e konsiderojmë edhe tonën dhe të mbarë kombit!”, ka shkruar Sela.