Presidenti i Këshillit evropian Donald Tusk ka deklaruar se politika e zgjerimit të BE-së është prioritet, jo vetëm kur është në pyetje Mali i Zi, por i gjithë rajonin.

Pas takimit me presidentin malazez Milo Gjukanoviq, Tusk ka thënë se protestat në atë vend nuk janë problem, por normale dhe tipike për çdo shoqëri demokratike.

Gjukanoviq dhe Tusk janë pajtuar se problemet me të cilat përballet Mali i Zi dhe mbarë rajoni janë mundësi për ndërtimin e institucioneve efikase shtetërore dhe sundimit të së drejtës që është “rekomandim më i mirë për përparim në integrime”, njofton RTMZ.

Tuks duke iu drejtuar Gjukanoviqit ka thënë se miqësia e tyre është traditë dhe se politika e zgjerimit është prioritet jo vetëm kur është në pyetje Mali i Zi, por edhe rajoni në përgjithësi.

“Në atë drejtim, Mali i Zi krijon politikat e saja shtetërore si promovues të vlerave evropiane dhe euroatlantike në rajon. Ballkani është lënë shumë gjatë jashtë Evropës dhe rruga e vetme e rajonit është integrimi. Mali i Zi këtë në tërësi e kupton dhe mu për këtë punojmë me përkushtim në realizimin e atij qëllimi strategjik si dhe rritjen ekonomike dhe zhvillimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, ka theksuar Gjukanoviq.

Ai e ka përshëndetur marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës dhe ka potencuar se rëndësia e vullnetit politik dhe përfitimit të të gjitha palëve në proces në zgjidhjen e atyre çështjeve të vështira, që sipas tij, “mund të jetë nxitje për rregullimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe funksionalitetin e Bosnjë e Hercegovinës”.

Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Gjukanoviq ka theksuar se pas zgjidhjes së kontestit mes Athinës dhe Shkupit, duhet të punohet në zgjidhjen e problemeve tjera në rajon.

Stoltenberg nga ana tjetër ka rikujtuar se muajin e kaluar NATO ka bërë hapa të rëndësishëm dhe e ka përshëndetur anëtaren e re të Aleancës- Maqedoninë e Veriut.

“Kur do të përfundojë protokolli, do ta mbështesim Maqedoninë e Veriut si anëtar të ardhshëm të NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.