Penalltia e akorduar në fund të ndeshjes PSG-Manchester United (3-1), ka ekzistuar. Kështu ka thënë UEFA përmes një reagimi.

Manchester United siguroi çerekfinalen e Ligës së Kampionëve falë një penalltie të fituar në minutën e 90-të përmes VAR-it, të cilën e shndërroi në gol Marcus Rashford. Ky vendim i gjyqtarit është komentuar shumë në media dhe kishte prej tyre që e kritikonin ashpër.

Reagimet e shumta kanë sjellë edhe sqarimin e UEFA-s, që thotë se penalltia ka ekzistuar.

VAR, pasi kontrolloi kënde të ndryshme në dispozicionin e tij, i rekomandoi gjyqtarit një rishikim në terren pas incidentit në zonë. Duke qenë se gjyqtari nuk e pa qartë incidentin gjatë lojës, u krye një rishikim në terren. Pas rishikimit në terren, gjyqtari konfirmoi se distanca me të cilën po udhëtonte topi nuk ishte e shkurtër dhe prekja nuk ishte e papritur. Krahu i mbrojtësit nuk ishte afër trupit, gjë që bëri trupin e mbrojtësit më të madh, duke bërë që topi të ndalohet derisa po shkonte drejt golit. Gjyqtari, pra, dha penallti. Të gjitha vendimet e lartpërmendura janë bërë në përputhje të plotë me protokollin VAR”, shkruhet në reagimin e UEFA-s.