Derisa Bullgaria, Serbia dhe Greqia aktivisht punojnë në ndërtimin e hekurudhave të shpejta, Maqedonia fle. Vendi jonë për disa vite do të mund të ketë problem serioz me shpejtësitë e ulëta të trenave, nëse merret parasysh ritmi i zhvillimit të infrastrukturës hekurudhore në v endet fqinje, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Greqia planifikon ta kompletojë ndërtimin e hekurudhës së shpejtë mes Selanikut dhe Athinës, nëpërmjet së cilës trenat në të ardhmen do të lëvizin me shpejtësi maksimale prej 250 km në orë.

Edhe Serbia momentalisht e ndërton seksionin mes Beogradit dhe kufirit me Hungarinë, e cila do të mundësojë që në vitin 2023 trenat të lëvizin me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.

Bullgaria tanimë ndërton infrastrukturë hekurudhore, nëpër të cilën trenat mes Sofjes dhe Pllovdivit do të munden të lëvizin me 200 kilometra në orë.

Ministri bullgar i Transportit, Rosen Zhelazkov këto ditë e ka aktualizuar temën për hekurudha të shpejta në Maqedoni. Përpara seancës së parë të seancës së Komisionit Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, ai ka paralajmëruar se fqinji lindor do të ndajë 400 milionë euro për ndërtimin dhe modernizimin e hekurudhës nga Sofja deri në kufirin Bullgari – Maqedoni. Ministri Zhelazkov paralajmëroi se trenat nga Shkupi deri në Sofje në të ardhmen do të arrijnë vetëm për një orë. Ky skenar “optimist” për shpejtësinë e trenave mund të prishet nga situata reale në terren, e cila thotë se Maqedonia ndërton hekurudhë drejt Deve Bairit me shpejtësi të projektuar të trenave të ardhshëm deri në 120 km në orë.

Profesori Zoran Krakutovski nga Fakulteti Ndërtimtar i UKM-së, thekson se projektet për ndërtimin e hekurudhave të shpejta me mbi 160 km në orë duhet që të koordinohen me vendet fqinje. Maqedonia do të kishte infrastrukturë të tillë hekurudhore, por vetëm nëse bashkëpunon me fqinjët.

“Nëse ndërtohen hekurudha të tilla dhe sjellin trena për shpejtësi më të mëdha është e sigurt se edhe transporti ndërkombëtar i udhëtarëve do të rritej”, thotë ai.

Për dallim nga fqinjët, Maqedonia për momentin ka hekurudha të projektuara për shpejtësi maksimale deri në 120 km/orë, por vetëm nëse kryhet riparimi i tyre. Për nevojat e projektit “Lugina e Vardarit”, në vitin 2013 është punuar në studimin e fizibilitetin, vlerësimit nëse është e pagueshme, vlerësim të investimit dhe studim për vlerësim të mjedisit jetësor për hekurudhën e ardhshme me dy linja mes Shkupit dhe Velesit, nëpërmjet së cilës trenat do të lëviznin me shpejtësi prej 160 km/orë. Megjithatë, realizimi i shpejtësisë së këtillë do të bëhej në të ardhmen më të largët, por vetëm nëse gjendet investitor për projektin “Lugina e Vardarit”.