Gjatë javës së kaluar janë regjistruar tetë raste të vdekjes nga sëmundja e gripit, informojnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Bëhet fjalë për pesë persona nga Shkupi dhe një nga Dellçeva, një nga Ohri dhe një nga Kavadari, transmeton Portalb.mk.

“Mosha e të vdekurve lëviz prej 12 deri 70 vjeç. Te shtatë persona është konfirmuar sëmundje e më hershme kronike- morbilitet. Te të gjithë ka pasur influencë të virusit A, nga të cilët te pesë është konfirmuar A(H1pdm) virusi i gripit”, thuhet në raportin e fundit të Institutit.

Gjatë javës së nëntë të këtij viti, në Maqedoni janë paraqitur 2.678 raste me sëmundje të gripit, që është për 16.5 më pak në krahasim me javën e kaluar. Numri i personave të sëmurë nga gripi këtë javë është për 3.7 për qind më i ulët në krahasim me javën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndryshe, vaksina kundër gripit është mbrojtja më efikase nga sëmundja, për këtë shkak Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinim të të gjithë popullatës, posaçërisht të personave që bien në grupe të ndryshme.

“Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Shëndetit Elektronik, janë vaksinuar gjithsej 19.992 persona me vaksina falas kundër gripit sezonal (persona më të vjetër se 65 vjet me pension mesatar, nënmesatar dhe pa të ardhura), gjegjësisht 71.4 nga numri i përgjithshëm i vaksinave të furnizuara. Nëmuri më i madh nga peronat e vaksinuar janë të moshës 65-vjeçare -10.977 persona (56.7 për qind). Nga kategoria e punëtorive shëndetësore, janë vaksinuar 801 persona. Nga numri i përgjithshëm i të vaksinuarve, 14.111 (72.9 për qind) janë me histori të sëmundjeve kronike”, shkruan në raportin e Institutit.