Mospërdorimi i ‘bombave’ si dëshmi, vë në pikëpyetje mbështetjen e opozitës shqiptare për ligjin e ri për Prokurorinë Speciale. Deputeti i “Aleancës për Shqiptarët” Syrja Rashidi thotë se nuk mund ta mbështesin projektligjin aktual, të cilin e quan pazar politik të koalicionit qeverisës para zgjedhjeve presidenciale. Rashidi paralajmëron intervenim në nenin 105 që flet për ingerencat e Speciales për çështjet që nuk janë procesuuar deri më 30 qershor 2017.

“Në rast se keni parasysh faktin se kemi dëgjuar shumëçka nga këto materiale të përgjuara të ashtuquajtura bomba, nëse keni parasysh faktin se shumë figura të larta të BDI-së përmenden në ato bomba dhe vet fakti se deri më 30 qershor nuk kemi asnjë lëndë që bën fjalë për këto figura, kjo vetvetiu dëshmon se bëhet fjalë për një pazar dhe vetë fakti që një ligj kaq serioz futet në procedurë të shpejtuar, dëshmon për marrëveshjen që me çdo kusht kjo të përfundojë para zgjedhjeve presidenciale” tha për TV21 deputeti i ASH-së Syrja Rashidi.

Me projektligjin për PPS-në nuk është e kënaqur as “Besa” opozitare. Me të nuk pritet përmirësim por përkeqësim në sistemin e drejtësisë, aq më tepër kur ‘bombat’ nuk mund të përdoren si prova thotë deputeti Fadil Zendeli.

“Me sa duket politika prapë mbisundoi mbi institucionet e drejtësisë, dhe ne si subjekt politik do ta ndjekim debatin që zhvillohet, u paralajmëruan edhe tryeza të rrumbullakëta rreth kësaj, ku do t’i shprehim mendimet tona të qarta se nuk jemi të kënaqur me atë që Prokuroria Speciale e bëri, nuk jemi të kënaqur se kishte qasje selektive në ndarjen e drejtësisë dhe se me këtë që ndodh nuk u ofrohet asgjë qytetarëve, nuk i ofrohet asgjë sistemit të drejtësisë por thjesht mund të jetë edhe një, mos të them, mashtrim, por thjesht një lëvizje institucionale vetëm sa për ta mbuluar punën e Prokurorisë Speciale” tha Fadil Zendeli, deputet i “Lëvizjes Besa”.

U përpoqëm të kuptojmë edhe qëndrimin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së për projektligjin për PPS-në por kryetari i tyre Nikolla Micevski përmes telefonit na tha se nuk duan të komentojnë para takimit Zaev-Mickoski që pritet të mbahet në fundjavë.

Qëndrim nuk ka as grupi i pavarur i 8 deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja, sepse siç na tha deputetja Nola Ismailovska-Starova ende nuk e kanë parë projektligjin për shkak të angazhimeve të tjera në Kuvend.

Që ligji i ri për PPS-në të kalojë, duhen 80 vota deputetësh, por ky numër vështirë të arrihet. Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se tani për tani vetëm 68 deputetë të shumicës e përkrahin projektligjin. Nga fillimi i javës së ardhshme është paralajmëruar se Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska do të nisë takimet me përfaqësuesit opozitarë për t’i bindur të mbështesin projektligjin i cili e fut Prokurorinë Speciale në kuadër të Prokurorisë së rregullt, por me pavarësi financiare.