Ligji i Prokurorisë Speciale Publike (PSP), është një farsë në procesin reformues, dhe ne nuk e pranojmë si të tillë, ka njoftuar deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Syrija Rashidi, njofton Portalb.mk.

Sipas tij, me Ligjin e PSP-së bëhet edhe një përpjekje për pazar politik ndërmjet partive; Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe VMRO-DPMNE-së.

“Kjo është edhe një përpjekje që të mbyllen sytë para faktorit ndërkombëtar, para nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Edhe një lojë politike siç ishte me Ligjin për amnisti, ku u morrën vesh LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE-ja”, tha Rashidi.

Rashidi ka njoftuar se për ASH-në është e papranueshme që prokurori publik të zgjidhet nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, sepse kjo do ta politizonte PSP-në, dhe për këtë të fundit ka vlerësuar se nuk janë dhënë rezultatet që janë pritur.