Kryetari aktual i komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjatë fushatës parazgjedhore dhe menjëherë pas përzgjedhjes së tij si i pari i kësaj komune, premtoi pastërti, që sipas tij ishte gjëja primare me të cilën do të merrej. Mirëpo, disa pjesë të komunës janë lënë pas dore dhe mungesa e gjelbërimit dhe parqeve në këtë komunë është mjaft e dukshme, sidomos në disa lagje në të cilat po uzurpohen hapësirat e gjelbra, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu në intervistën e tij për Portalb.mk premtoi se do të rriten zonat e gjelbra duke cekur kështu hapësirën e ish higjienës komunale, e cila hapësirë sipas tij do të bëhet kompleks banesor i cili do të ketë edhe park.
Mirëpo deri më tani kjo hapësirë është e mbushur me mbeturina, të cilat çdo ditë e më shumë shtohen dhe nuk pastrohen, me barë të rritur, dhe e lënë komplet pas dore, madje një pjesë të saj janë duke e shfrytëzuar edhe si një lloj parkingu për lagjen e Seravës e cila dita ditës po ndërtohet dhe mungesa e parkingjeve dhe parqeve është e dukshme.

Banorët ankohen për anashkalim dhe i frikësohen rrezikut nga kjo hapësirë.

“Ka shumë banor të papërgjegjshëm që gjuajnë mbeturina në këtë hapësirë dhe siç e shini ju bari është rritur mbi një metër dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe gjarpërinj. Nuk e di pse e kanë lënë kështu pas dore. Shumë mirë do të ishte nëse kjo hapësirë shndërrohet në një park për fëmijët e lagjes së Seravës për arsye se mungesa e gjelbërimit është tejet e dukshme në këtë lagje dhe siç po e shihni ka vetëm ndërtime dhe aspak hapësira të gjelbra”, thonë banorët për Portalb.mk.
Redaksia Portalb.mk kërkoi informacion nga komuna e Çairit lidhur me procedurat dhe si shkojnë punët për rregullimin apo investimin në këtë hapësirë, por nga aty nuk morëm përgjigje lidhur me këtë çështje.

Tanimë një kohë të gjatë, kjo hapësirë është lënë pas dore, e cila madje u bë edhe deponi mbeturinash.