Edhe krahas paralajmërimeve pas takimit mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski se grupet e punës së LSDM-së dhe VMRO-DPMNE nga 11 marsi do të punojnë në mënyrë të pavarur në projektligjin e ri për prokurorinë publike, me të cilin parashikohet integrimi i Prokurorisë Speciale Publike në Prokurorinë Publike, ato ende nuk janë formuar.

Grupin e punës të LSDM-së e kryeson ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa ende pritet që VMRO-DPMNE të emërojë anëtarë.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të japë mbështetje, sepse sipas tyre kjo është lojë politike, ndërsa e pakënaqur nga puna e PSP është BESA. E pasigurt është edhe mbështetja e VMRO-DPMNE-së, si dhe PDSH-së.

Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani është i rremë lajmi se BDI-ja insiston për ndërrim të ekipit të PSP.

Osmani theksoi se do të vazhdojë me mbështetje që të sigurohet shumica dhe të miratohet ligj i ri për prokurori publike, në të cilën është inkorporuar PSP-ja, siç tha dje, do të jetë përcaktim i qartë për vlerësimin e suksesit të axhendës reformuese.

Mickoski në takimin me Zaevin kërkoi që ta zgjerojë përfshirjen e veprave që do t’i ndjekë Prokuroria Speciale Publike.

“Diskutuam edhe për ligjin për prokurorinë publike, të enjten e morëm draft tekstin, kështu që nuk kishim shumë kohë për t’iu kushtuar thelbit të vetë ligjit. Për ne, si parti politike është e rëndësishme që ky prokuror i posaçëm publik ka humbur besueshmërinë e plotë edhe personale edhe profesionale për të marrë mbështetjen tonë në të ardhmen. Parimisht integrimin e PSP-së si pjesë të Prokurorisë Publike mund ta hapim si temë dhe ta diskutojmë sepse është pjesë e setit të ligjeve reformatore”, tha midis të tjerave Mickoski.

Kryeministri Zaev thotë se sipas ligjit, mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva zgjat deri në mars të vitit 2020 dhe se pret konstruktivitet dhe mbështetje nga partia më e madhe opozitare.

“Pozitat tona janë të qarta, kjo Prokurori Speciale Publike duhet të përfshihet në sistemin e prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë Veriore, ku duhet t’i jepet mundësia këtij kapaciteti të krijuar në vend të vazhdojë me në krye Katica Janevën dhe gjithë ekipin, jo vetëm me prokurorët, por edhe me përmbaruesit”, tha Zaev.

Ligji për prokurori publike për të cilin nevojitet dy e treta e shumicës, do të ishte mirë të aprovohet para zgjedhjeve së bashku me ligjet tjera reformuese, që janë kusht nga Bashkimi Evropian për marrje të datës për bisedime.

Ministrja e Drejtësisë, Deskoska paradokohe deklaroi se miratimi i ligjit për prokurorinë publike do të jetë një nga momentet kyçe, të cilat do të jenë vendimtare në vendimin për hapje të bisedimeve, duke i pasur parasysh rekomandimet nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Bashkimi Evropian. /MIA/