Emërimet dhe punësimet mbi bazën e familjarizimit, dëmtojnë rëndë punësimin e kuadrove profesionale në Kosovë, ka deklaruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell.

Ai i bëri këto komente, në konferencën për shënimin e trevjetorit të Memorandumit të Mirëkuptimit për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në mes të Ambasadës Britanike dhe institucioneve të Kosovës.

Ambasadori britanik tha se qasja e institucioneve të Kosovës në favor të nepotizmit ndikon në penalizmin e profesionalitetit, çka rrjedhimisht, sipas tij, dëmton punësimin mbi bazën e meritave në pozitat e larta drejtuese.

O’Connell tha se dështimi i këtij projekti është përgjegjësi e politikanëve në Kosovë.

“Vitin e kaluar në konferencën e njëjtë pata deklaruar se projekti po shkon më mirë se që kemi pritur. Për fat të keq, këtë vit nuk mund ta them të njëjtën gjë. Në fakt kemi kthim prapa. Kemi raportime shqetësuese për interferim në proces. Falsifikimi i dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikti i interesit mes panelit dhe kandidatëve të intervistuar apo thjesht në favor të një kandidati, zakonisht i paracaktuar ta fitojë pozitën”, tha O’Connell.

Memorandumi ishte nënshkruar në vitin 2016, nga Ambasada britanike në Kosovë me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, për siç thuhet, pavarësimin e bordeve të agjencive të pavarura.