Kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), pas grumbullimit të më së paku 10 mijë nënshkrimeve, kandidaturën e tyre, deri më 21 mars, duhet ta dorëzojnë për konfirmim në Komisionin Shtetëror Zgjedhore (KSHZ). Pas kësaj, më 1 prill fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Nënshkrimet i kanë grumbulluar kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, kandidati i pavarur, Blerim Reka dhe kandidati i përbashkët i 30 partive politike në koalicion, Stevo Pendarovski.

Pas kontrollit të Listës Zgjedhore nga qytetarët, ajo i dorëzohet partive

Më 14 mars ka mbaruar afati për kontrollim të Listës Zgjedhore nga qytetarët e RMV-së, ndërkaq KSHZ-ja më së voni deri më 19 mars duhet Listën Zgjedhore t’ua dorëzojë për kontroll partive politike, të cilat kanë të drejtë që të kërkojnë fshirje apo plotësim të të dhënave. Pas parashtrimit të kërkesave nga partitë politike, KSHZ-ja ka afat treditor që të veprojë në bazë të tyre, në rast të kundërt, partitë politike kanë të drejtë ta padisin KSHZ-në në Gjykatën Administrative.

Kontrolli përfundimtar i Listës Zgjedhore, përfshirë kërkesat e të gjitha palëve, duhet të përmbyllet më 29 mars.

Më 1 prill zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore

Megjithëse që të tre kandidatët që kanë grumbulluar 10 mijë nënshkrimet në terren kanë nisur aktivitetet për të tërhequr votën e qytetarëve, fushata zyrtare presidenciale duhet të fillojë më 1 prill, kurse duhet të përfundojë më 19 prill. Se çfarë numri rendor do të kenë kandidatët në fletëvotim, KSHZ-ja do të vendos më 25 mars.

Personat e sëmurë dhe me nevoja të veçanta do të votojnë më 20 prill

Megjithëse rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 21 prill, procesi votues për personat e sëmurë dhe me nevoja të veçanta do të jetë më 20 prill.

Më 20 prill do të votojnë edhe anëtarët e KSHZ-së.

Rrethi i dytë zgjedhor më 5 maj

Rrethi i dytë zgjedhor do të mbahet nëse më 21 prill, asnjë nga kandidatët nuk do të sigurojë shumicën e nevojshme të votave. Fushata për rrethin e dytë do të mbarojë më 3 maj. Fitues i zgjedhjeve është njëri nga dy kandidatët i cili ka siguruara më së shumti vota, por me kusht që të arrihet censusi, votimi i më shumë se 40 për qind i qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Nëse edhe në rrethin e dytë nuk zgjidhet presidenti, përsëritet tërë procesi zgjedhor.