Kreu i PD, Lulzim Basha është paraqitur paraditen e së hënës në Prokurorinë e Tiranës si person që ka dijeni, në vijim të hetimit të nisur për dosjen e lobimit në SHBA.

Pak ditë më parë, më 16 mars, teksa opozita protestonte para Kuvendit, Basha nga Brukseli refuzoi thirrjen e parë të Prokurorisë.

Ai i dërgonte një letër Prokurorisë së Tiranë, ku shkruan se e konsideroi kërkesën e paraqitjes në mjediset e saj, për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të PD-së si “të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pambështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit”.

Nuk ka munguar as reagimi zyrtari i PD, që sipas tyre Basha shkoi në Prokurori ditën e sotme, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

“Basha shkoi sot ne prokurori, pasi prokuroria hoqi dore nga kerkesa e paligjshme per thirrjen per njohje me aktet. Behej fjale per njohjen me leterporosite qe kane shkuar qe ne gusht ne prokurori dhe i bejne publike tani, sipas axhendes politike te Rames. Pasi ne i thamë të enjten se kërkesa është e paligjshme dhe i sherben qeverise, erdhi nje shkrese tjeter, e formuluar brenda kërkesave ligjore, qe kërkon dëshmi në cilesinë e personave qe kane dijeni per ngjarjen. Njesoj si disa muaj me pare, kur ka dhënë një dëshmi te ngjashme, Basha u paraqit ne prokurori”,thuhet në sqarimin e PD-së.

Pas paraqitjes në Prokurori, Basha do të mbledhë Grupin e PD si dhe kryesinë e Partisë. Burime nga PD bëjnë me dije se per masat organizative per vijimin e aksionit politik.

Çështja e pagesave për lobistët amerikanë, të cilët ndihmonin Partinë Demokratike gjatë protestës në çadër, në vitin 2017, pritet të rihapet për shkak se ka zhvillime të reja.

Tashmë Prokuroria, për llogari të këtij hetimi ka administruar në dosje dy letërporosi të ardhura nga SHBA dhe Skocia.

Top Channel