Pas humbjes në “Loro Boriçi” ndaj Turqisë, Kombëtarja shqiptare kërkon të lejë pas zhgënjimin.

Tashmë pa Panuccin, kuqezinjtë do të zbresin sërish në fushën e blertë përballë një kundërshtari modest siç është Andorra. Në orën 20:45, në “Stadiumin Kombëtar” të Andorrës, Shqipëria nën drejtimin e dyshes Bulku-Mema duhet të kthejë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Euro 2020.

Sigurisht që humbja me Turqinë peshon shumë, por nuk ka arsye për të ulur armët pas vetëm një betejë të humbur, kur “lufta” është e gjatë të jepet mundësia për të rikuperuar besimin, entuziazmin dhe pikët që të duhen për ta mbyllur të dytët këtë fushatë eliminatore.

Në Andorrë vlen vetëm fitorja, presioni është i gjithi në krahun tonë dhe nuk duhet marrë kurrsesi lehtë ky kundërshtar që në 3 përballjet e fundit në këtë stadium ka arritur të barazojë me Gjeorgjinë (1-1) dhe Letoninë (0-0) si dhe ka humbur 0-2 me Islandën.