Megjithëse duhej të dëshmonte, ish-kreu i DSK-së Sllobodan Bogoevski nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme të “Maxhar Telekom-it”. Ai herët në mëngjes arsyetoi mungesën te Gjykata Penale për shkak të obligimeve të grupit të punës në Qeveri. Prokurorja Speciale e lëndës, Lile Stefanova tha se për radhën e dëshmitarit në fjalë do të konsultohen me palët në seancën e ardhshme.

Për shkak të volumit të lëndës, marrja në pyetje e dëshmitarëve të radhës do të merr shumë kohë, prandaj për caktimin e kohës se kur do të jep dëshminë e tij Sllobodan Bogoevski, propozoj që me palët mund të konsultohemi në seancën e ardhshme.” -tha Lile Stefanova, Prokurore Speciale

Në këtë proces, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-drejtorët e Telekomit Maqedonisë Attila Szendrei, Rolf Plath, Zoltan Kisjuhász dhe Mihail Kefalojanis. Ata ngarkohen për organizimin e kontratave fiktive për shërbime konsultative me kompaninë “Chavtex holdings Limited” nga Qipro.

Avokati i të akuzuarit të parë, Attila Szendrei kërkoi që të thirret si dëshmitar edhe ish-kryeministri Vllado Buçkovski, në kohën e të cilit u nënshkrua Protokolli mes Qeverisë dhe “Telekom-it”.

Vllado Buçkovski si kryeministër i atëhershëm i Qeverisë së Maqedonisë si nënshkrues i Protokollit, duhet të vij të dëshmoj për hir të së vërtetës dhe për të gjitha palët në këtë proces. Se cilat kanë qenë dobitë dhe humbjet e shtetit nga ai Protokoll, cilat ishin kontradiktat ndaj interesave të shtetit dhe në interes të të gjithëve, ai si nënshkrues në një mënyrë është i detyrueshëm të vij të dëshmoj para Gjykatës, duke e thënë të vërtetët për këtë rast.” – theksoi Nenad Janikeviq, Avokat i të akuzuarit të parë Attila Szendrei

Në seancën e kaluar u mor në pyetje dëshmitari Xhamali Mehazi. Prokurorja Stefanovska, pati theksuar se dëshmitari Mehazi është nënshkrues i Protokolleve në rolin e Ministrit për transport dhe lidhje. Në pyetjen e saj nëse ka qenë në dijeni që në bazë të këtij Protokolli janë paguar 7.5 milion euro në vitin 2006, palës A, si dhe miqve nga Tetova, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, Mehazi pat thënë se për një gjë të tillë dëgjon për herë të parë. Emrat e Ahmetit e Xhaferit janë përmendur edhe nga ish-shefi i DSK-së Sllobodan Bogoevski, i cilësuar si ndër dëshmitarët më të rëndësishëm, para autoriteteve të drejtësisë në Nju Jork, për procesin e njëjtë gjyqësorë të zhvilluar më parë në SHBA.

Ndërsa në Shkup, seancat e ardhshme për “Maxhar Telekom-in” janë caktuar më 24 prill dhe 8 maj.