Lideri i Lidhjes Sociale Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev në vazhdën e sigurimit të 80 vota për Ligjin e Prokurorisë Publike, me theks të veçantë fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), sot do të realizojë takime me liderët opozitarë shqiptarë, transmeton Portalb.mk.

Të parin që e takoi ishte lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Pas takimi Kasami tha se kërkesë e tyre është që PSP-ja të funskionojë siç ka funksionuar deri tash, dhe “bombat” të përdoren si indice dhe dëshmi në raste gjyqësore.

“Ne si Lëvizje BESA e përkrahim funksionimin e PSP me gjithë kapacitetin e saj, këtu dua të ngrit faktin e vlefshmërisë së përgjimet, dhe ti përmbyllë të gjitha lëndët që dalin nga përgjimet. I dhamë propozimet tona, komfor marrëveshjes, që amendamentet të jenë zgjidhje. Synojmë që bombat të përdoret si dëshmi dhe indice”, tha Kasami.

Ndërkaq i dyti do të takohet lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Jo zyrtarisht thuhet se takimi Zaev – Kasami ka filluar në ora 09:00 dhe ende është duke vazhduar, ndërkaq Zaev-Sela pritet të realizohet pas përfundimit të takimit të parë.

Nga ana tjetër, sot, për në orën 18:00 është caktuar takimi i tretë i grupeve të punës mes Qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së për arritjen e një marrëveshjeje për projektligjin për Prokurorinë. Ky takim vjen pas duelit televiziv mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe kryetarit të opozitës, Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE i dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë amendamentet për Ligjin për Prokurori Publike, sipas të cilit rregullohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në emisionin “Top Tema”, dje e ka përsëritur qëndrimin e tij, se procesi i sigurimit të shumicës së nevojshme për miratim të Ligjit të Prokurorisë Publike do të zhvillohet në dy trajektore, paralelisht takime do të realizohen me opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE-në dhe opozitën shqiptare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët.

Por paraprakisht nga Lëvizja BESA janë shprehur me rezervë sa i takon votës “për”, sepse sipas tyre ata nuk janë gomë rezervë e Qeverisë.