Marselo ka marrë të gjithë kohën e nevojshme për të qartësuar idetë e tij për të ardhmen dhe brazilianit i është kthyer buzëqeshja dhe shpresa me rikthimin e Zinedine Zidane në krye të Real Madridit. E përditshmja spanjolle “AS” ka bërë me dije se Marselo ka analizuar të gjithë situatën dhe ka vendosur që të qëndrojë te “Los Blancos”, të paktën deri në vitin 2022, kur i përfundon kontrata. Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Zidanit. Që në momentin kur Zidan u prezantua si trajneri i ri, Marselo dhe Isko dolën në stërvitje ditën e nesërme edhe pse e gjithë skuadra ishte pushim. Një sinjal i qartë për besimin që të dy kanë tek francezi. Në anën tjetër Zidan e ka të qartë: Marselo është lojtar titullar dhe ashtu do të ndodhë edhe në ndeshjen ndaj Hueska.