Ka plasur sërish zënka mes Spelletit dhe Icardit. Trajneri ka vendosur të lëjë në shtëpi sulmuesin argjentinas.

Icardi nuk ka luajtur për zikaltrit që prej se papritmas iu mor shiriti i kapitenit më 13 shkurt, për arsyeje që asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht, por besohet se kanë të bëjnë me kritikat që bashkëshortja dhe menaxherja e tij, Wanda Nara, ua bëri bashkëlojtarëve të tij gjatë paraqitjeve televizive si eksperte e futbollit. Këtë javë, pas bisedimeve intensive me avokatin Paolo Nicoletti si ndërmjetës mes klubit dhe Icardit, argjentinasi u pajtua të rikthehet në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit.

Me Lautaro Martinezin e lënduar, Icardi ka mundur të ëndërrojë për një vend titullar kundër Lazios, por trajneri Spalletti i befasoi të gjithë në konferencë për media duke deklaruar se Icardi nuk ishte në listën e të ftuarve.

“Duke parë çfarë ka ndodhur së fundmi, përfshirë dje, them se ai nuk është ende gati t’i ndihmojë bashkëlojtarët në këtë ndeshje. Prandaj nuk është thirrur”, tha Spalletti.

Sipas mediave italiane, Spalletti e nisi seancën stërvitore me të gjithë futbollistët prezentë dhe i pyeti Icardin nëse dëshironte të thoshte ndonjë gjë.

Argjentinasi u përgjigj duke theksuar se nuk kishte asgjë për të thënë, pasi tashmë i kishte sqaruar gjërat me trajnerin dhe klubin, por kjo e ka irrituar Spallettin.