Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në konventën promovuese dhe hapjen e fushatës së kandidatit për president, Blerim Reka sonte nga Shkupi bëri thirrje që shqiptarët të dalin dhe të përkrahin profesorin Reka për të fuqizuar votën shqiptare.

“Ne kemi motiv shumë më të madh që në këto zgjedhje presidenciale, të angazhohemi maksimalisht që të faktorizojmë votën shqiptare. Me përkrahjen për kandidatin tonë për President, profesor Blerim Rekës, ne japim disa mesazhe shumë të qarta. E para, ne nuk i lamë shqiptarët të pa përfaqësuar politikisht. Duke përkrahur kandidaturën e profesor Blerim Rekës ne ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që votën e tyre mos e drejtojnë nga partitë politike maqedonase, por të rikthejmë votën shqiptare te përfaqësuesit shqiptarë pasi që vetëm kështu shqiptarët në këtë shtet do jenë të përfaqësuar me dinjitet dhe krenari. E dyta, me votën tonë për profesor Blerim Rekën, jua pamundësojmë partive shqiptare në qeveri që të thirren në emër të votës shqiptare duke i zhveshur ata politikisht dhe duke i lënë pa legjitimitet politik. Me këtë do ti detyrojmë edhe ata që të kthjellen dhe shpëtimin e vet ta kërkojnë në gjirin e shqiptarëve dhe jo nën ombrellën e partive politike maqedonase. Dhe e fundit, ne kemi mbështetur një kandidat i cili i plotëson të gjitha kushtet për të qenë President i shtetit. Përmes kandidaturës së profesor Blerim Rekës ne ju ofrojmë edhe maqedonasve një mundësi që të zgjedhin dhe mbështesin një kandidat i cili ka kredibilitet moral, ka njohuri profesionale dhe ka ngritje intelektuale që është mbi nivelin e kandidatëve tjerë në këto zgjedhje. Modeli i profesor Blerim Rekës është që t’i dëshmojmë gjithë qytetarëve në Maqedoni, veçanërisht partive politike maqedonase se shqiptarët kanë njerëz që mund të kryejnë detyrat shtetërore me dinjitet dhe krenari më mirë se çdokush tjetër.”, theksoi Kasami.

Sipas tij, kandidatura e profesor Blerim Rekës është një mundësi për maqedonasit që të dëshmojnë se a janë të gatshëm të pranojnë që shtetin të udhëheqë një shqiptar i cili vjen nga faktorizimi i votës shqiptare dhe jo nga përzgjedhja e partive politike maqedonase.(INA)