Edhe krahas paralajmërimeve gjatë fundjavës nuk vazhduan bisedimet mes grupeve të punës mes pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurorinë publike me të cilën duhet të zgjidhet statusi i ardhshëm i Prokurorisë Speciale Publike.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska lidhur me 65-të amendamentet të cilat i dorëzoi opozitarja VMRO-DPMNE për Ligjin për Prokurorinë publike ka deklaruar se qëllimi është të shkatërrojnë PSP-në dhe të ndalojnë me procedurat.

“Me ato amendamente shkatërrohet PSP-ja, shkatërrohen hetimet dhe procedurat të cilat i ka marrë PSP-ja. Ato nuk janë amendamente të cilët mund të përmirësojnë tekstin”, tha Deskoska për TV21.

Ajo tha se nuk është optimiste se do të arrihet marrëveshje me VMRO-DPMNE-në.

“Konkluzioni ishte se VMRO-DPMNE duhet të bëjë konsultime me qëllim që t’i harmonizojë qëndrimet me rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare, sepse ligji vetëm për sjellje të ligjit nuk është diçka që do të na mundësojë hapje të negociatave me BE-në”, deklaroi Deskoska.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillkovski dje në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë takime të grupeve të punës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë publike ka deklaruar se takimi duhet ta caktojë Ministria e Drejtësisë, ose ministrja Deskoska.

“Me sa e di është lënë periudhë për konsultime brendapartiake pas së cilës do të pasojë takim i ri i grupeve të punës”, ka thënë Stoillkovski.

Zëvendëskryeministri për Çështje evropiane Bujar Osmani tha se nuk është përcaktuar data konkrete për rutën e katërt formale të negociatave midis partive politike për ligjin e ri për Prokurorinë Publike me të cilin duhet të zgjidhet statusi i ri i Prokurorisë Publike Speciale, megjithatë komunikime joformale ka çdo ditë. Sipas tij, akoma ka hapësirë që të gjendet zgjidhje e cila do t’i kënaqte të gjitha palët dhe të sillet ky ligj me konsensus.

“Pres të vazhdojnë bisedimet që të arrihet konsensus sipas shembullit të konsensusit që u soll Ligji për antikorrupsion dhe konflikt interesash. PSS është një prej tre shtyllave kryesore të sistemit tonë për luftë kundër korrupsionit dhe tentimit tonë për kthimin e qeverisjes të së drejtës”, tha Osmani.

Është i mirë, tha ai, që Qeveria gjegjësisht Ministria e Drejtësisë i pranoi parimet kryesore të opozitës në pikëpamje të këtij ligji dhe është mirë që opozita u kthye me propozim amendamente konkrete, që do të thotë se jemi duke hyrë në bisedime serioze për gjetjen e zgjidhjes. Ajo që nuk guxon të ndodhë është që të devijohet esenca e këtij institucioni gjegjësisht e këtij ligji, megjithatë vlerësoj se akoma ka hapësirë që të gjendet zgjidhje e cila do t’i kënaqte të gjitha anët dhe të sillet ky ligj me konsensus, duke e pasur parasysh faktin se kredibiliteti i institucionit dhe qëndrueshmëria do të jetë akoma më e madhe nëse arrihet konsensus lidhur me këtë çështje.

Lidhur korrespondencën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, tha se Xhaferi absolutisht ka të drejtë kur thotë se vetëm Kuvendi është ai që mund ta diktojë dinamikën e Dhomës Ligjdhënëse.

Ligji për Prokurorinë publike miratohet me dy të tretat e shumicës dhe është një nga kushtet për marrjen e datës për hapjen e bisedimeve me BE-në.